Parandalimi i kancerit të zorrës së trashë

0
692

Megjithëse kanceri është një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se kanceri i zorrës së trashë është një nga kanceret që në fakt mund të parandalohet. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carol Pearson sjell më shumë informacione për këtë, si dhe historinë e një gruaje që mundi kancerin e zorrës së trashë.

Zorra e trashë është një tub i gjatë muskulor. Kanceri i zorrës së trashë është i lidhur me dietën, predispozitat gjenetike dhe moshën. Në Shtetet e Bashkuara, një në 23 vetë preken nga kanceri i zorrës së trashë.

Michele Alexander u diagnostikua me këtë lloj kanceri në moshën 53 vjecare.

“Sa kohë më ka ngelur? Vajzën e kam 24 vjec. Sa kohë do të kem me të? Këto janë mendimet që më vijnë në kokë”, thotë Michele.

“Shumica e kancerit të zorrës së trashë zhvillohet nga një polip beninj, dhe kjo zgjat nga 10 deri në 15 vjet. Nëse polipi gjendet dhe hiqet, nuk do të zhvillohet kancer i zorrës së trashë, prandaj është shumë e rëndësishme që të bëni analiza për parandalimin e kancerit “, thotë Zihao Wu me qendrën shëndetësore në Universitetin e Mizurit.

Megjithëse diagnoza ishte e frikshme, pasioni i zonjës Alexander për garat me makina e ndihmoi atë ta përballonte.

Carl Edwards është sportisti i saj i preferuar dhe ajo kishte blerë bileta për një garë ku ai konkurronte. Vendosmëria e saj për të shkuar në garë u përforcua kur mori këtë telefonatë.

“I thashë se e dija që kishte një ankand ku mund të fitoje për të ngarë makinën me të përpara garës dhe se ishte synimi im të fitoja në atë ankand. Por ai më tha: “Hajde këtu dhe do të ngasësh makinën me mua edhe pa fituar”, tregon Michelle.

Gjashtë javë pas operacionit, zonja Alexander mori lajmin që donte.

“Oh, ishte shumë kënaqësi. Ishte gara e jetës sime dhe kalova vijën e finishit si fituese”, thotë ajo.

“Ajo donte të përmirësohej. Kishte vullnet për t’u bërë mirë dhe mendoj se kjo është shumë e rëndësishme”, thotë doctor Wu.

Mjekët thonë se mund të ndihmoni në parandalimin e kancerit të zorrës së trashë nëse hani shumë zarzavate, drithëra dhe perime të larta në fiber, si fasulet. Fiskultura e rregullt gjithashtu ndihmon, dhe nëse pini duhan, ndalojeni.

Më e rëndësishmja, bëni analiza rregullisht, duke filluar nga mosha 50 vjeçare, ose më herët, nëse keni një histori familjare.

Nëse kanceri i zorrës së trashë diagnostikohet në një fazë të hershme, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se 90 për qind e pacientëve mbijetojnë të paktën për pesë vjet, krahasuar me jo më shumë se tetë për qind të atyre që diagnostikohen në një fazë të përparuar.

Dy vjet pas operacionit të saj, zonja Alexander është ende pa kancer. Vendosmëria e saj për ta mposhtur atë, frymëzoi madje edhe heroin e saj.