Paragjykimet tona

0
60

Nga Laureta Berisha Kosumi

Edukata e mirësjelljes si individë, si punëtorë dhe si popull

Si popull goxha ja mbajmë vetit si të dashur, të edukuar, mirëdashës, punëtorë etj etj. Sa do të doja të ishim të tillë !

Fillimisht, gjuha komunikuese me njëri tjetrin, po marrë shembull në vendin e punës, është shumë e paqartë. Rregullat themelore të mirësjelljes janë të mangëta në fjalorin tonë të përgjithshëm.

Hyn në restorant, ulesh dhe pret të të vijë kamerieri të marrë porosinë, vjen pas disa herë thirrjesh që i bën dhe duhet ti thuash “së pari ju kërkojmë falje që kemi ardhur dhe po ju shqetësojmë, e po ju nxjerrim punë në vendin tuaj të punës, ju lutem shumë të në falni se e dimë që do të donit të rrinit tërë ditën, por pasi që veç kemi ardhur na shërbeni”. Të shikon tërë ironi dhe si bën fare, saqë ta largon edhe oreksin. Pastaj duhet disa herë tjera ti thuash më fal a bën ujin, më fal ju kisha kërkuar më herët këtë, më fal a bën faturën dhe në fund të thotë me nervozen më të madhe “a nuk ke para të ima a”. Jo o zotëri/ zonjë e nderuar, ajo është puna juaj të keni para për kusur, unë nuk e kam për detyrë t’ua bëj zgjidhjen por… si thua fare, pos që ndihesh keq dhe i thua jo nuk kam të ima!

Shkon për të paguar në market, fillimisht 4 deri 5 veta të kërkojnë t’ua lirosh vendin se kanë vetëm nga një gjë për të paguar dhe mos të presin. Po mirë o i/e e nderuar, nëse ke ardhur për të blerë vetëm atë që të është dashur, edhe unë kam ardhur për ato që më duhen andaj prit në radhë të lutem !

Nuk i’a thua dot, por i thua po po urdhëroni, urdhëroni tash edhe ju tjetri pasi që të shikon tërë kritikë se pasi e lë atë para meje, më lër dhe mua (me përjashtime për kategori të caktuara, ku vërtetë lëshohet rendi pa të kërkuar fare), pastaj arkatarja tërë nervozë lëre që nuk të përshëndet fare por duhet vetë ti futësh në qese e mezi del, ngadalë oj zonjushë se me pagesë je këtu dhe kryeni punën tuaj siç duhet!

Thirre një taxi dhe lëre që nuk të vije në kohë, por taksisti tërë kohën të bën pyetje pa ndalur. Por nëse ti vonohesh një minutë, të tërheqin vërejtjen se që sa kohë kam ardhur! Ngadalë o i nderuar se për muhabet nuk kam hipur në taxi!

Nëse bën vizitë te mjeku, qoftë edhe në ordinancë private (siç më ndodhi me nënën time) mjeku pas disa minutave që ka kaluar me punët e tij në telefon të shikon, me një luhatje koke të përshëndet, merr analizat dhe thotë duhet rritur dozën e barit si dhe bëhet nervoz po i kërkove sqarim dhe mundohet që minutazha juaj te jetë sa më e shkurtër tek ai!

O i nderuar kam bërë kilometra për të ardhur tek ju dhe duhet të më jepni sqarime shtesë, duhet të më jepni udhëzime të reja se është në pyetje shëndeti im!

Klientët që vijnë në vendin tim të punës, fillimisht janë të pakët ata që të përshëndesin, pastaj të kërkojnë me ngulm t’ua japësh vetëm ato që u ka përshkruar mjeku, ke dëshirë ti ndihmosh dhe t’ ua lehtësosh, por nuk të lënë as të flasësh. Ngadalë o i/ e nderuar se edhe unë jam profesionist, kam derdhur djersë për të të shërbyer si duhet dhe duhet të më vlerësosh! Nuk i intereson fare çfarë thua dhe po i tha ndokush mbrapa merre këtë se mua më ka bërë mirë, t’i hedhë poshtë të gjitha fjalët dhe merr atë që i thotë “profesionisti me përvojë”!

Për fund të ngelë borxh 5 cent dhe thotë “hajt më 5 cent, mos u bëni edhe koprracë, ne po vijmë tek ju”! Pa koment.

Ceka vetëm disa nga vendet, por ka akoma më shumë.

Më e dhimbshme se tërë këto që kam cekur, është kur sheh të rinjtë, të ardhmen tonë me një qasje të tillë, të vije të qashë dhe kërkon fajtorin për një gjendje të tillë por bindesh se të gjithë jemi nga pak fajtorë!

Fjala e mirë është lëmoshë, fjala e mirë thyen akullin, zbutë zemrat, thyen barrierat më të vështira dhe është gjëja më e lehtë që mund ta bësh, madje pa kurrfarë pagese!

Nuk di a ta bëj fajtor punëdhënësin apo punëmarrësin në vendin tonë, por vërtetë kur merr një përgjegjësi duhet kryer me sukses, edhe nëse tjetri nuk e bën të njëjtën, bëje dhe jep shembull kudo që të jesh, pastaj suksesi do të vije padyshim.

Nuk mund ta duam vendin tonë me fjalë, me brohoritje me mburrje, por me punë.

Nëse secili nga ne kryen detyrën që ka në mënyrën më të mirë, suksesi nuk do të mungojë asnjëherë.

Nëse e bën një punë, përsose atë dhe do të lulëzojë vendi i punës edhe nëse të tjerët tregohen mosmirënjohës, bëje në mënyrën më të mirë që di. Kjo të lehtëson në shpirt, edhe nëse i bie që bartë ujë me shportë të vrimosur, pas një kohe do të shohësh pastërtinë e shportës edhe pse ujin nuk e ke mbushur asnjëherë.

Fotografia e gjallë e së ardhmes, fotografia e gjallë për fëmijët tanë jemi ne, nga ne do të ndërtohen breza akoma më të mirë, nga brezat tonë do të ndërtohet shteti ynë, ashtu siç duam ta shohim, duke eliminuar tërë pakënaqësitë !

Sqarim: marrja e shembujve të tillë nuk është në mënyrë të përgjithësuar, andaj askush mos ta merr personale.