PARA TË LYERA ME GJAK

0
90

Poezi nga WALT WHITMAN

(Kjo vjershë qe përgjigje politikanit amerikan Uebster
që kërkonte kompromis me skllavopronarët më 1850)

Atij që tradhëtoi trupin
e gjakun e Krishtit.

1

Qëmoti, kur Isuj i mrekullishëm
Mbaroi mision’ e vet në tokë,
U shfaq Juda dhe e tradhëtoi për pare
Trupin e tij hyjnor.

Ai qe mallkuar më parë se të thahej djersa në grushtin e
shtrënguar,
U mblodh terri mbi atë që e shiti shembëlltyrën e Perëndisë,
Sikur t’ish flakur nga toka dhe zbuar nga qielli,
U var në ajr vetvrasësi.
Që atëherë kanë shkuar shumë shekuj memecë e të vrenjtur,
Dhe shumë në kuletë kanë shtënë argjend, si për birin e
Marisë,
Dhe prapë vjen një i tillë, i cili thotë:
“‘Ç’më jepni dhe unë e tradhëtoj atë”
Dhe i paguajnë tridhjet para t’argjendta.

2
Shiko, Shelbuës,
Shiko, ti i pari nga të vdekurit
Atje sipër pemëve të larta në parajsë;
E sheh si je akoma në pranga,
I torturuar e i varfër, me fytyrë njeriu,
T’ofendojnë, të torturojnë, t’hedhin në burg,
Ty s’duan të të njohin barabar me tjerët,
Shërbëtorët e zellshëm të qeverisë me patërshanë e shpatë
Të rrethojnë përsëri me ligësi djallëzore;
Dhe zgjatin duart e turmës, si kthetra rrjepacake,
Të pështyjnë në fytyrë, të qëllojnë me shputë;
I copëtuar, i gjakosur, trupi yt,
Më i errët se vdekja është shpirti yt,
Dëshmitar i të munduarve, vëlla i skllevërve,
Akoma shitet shembëlltyra jote,
Akoma shet Iskarioti.

Shqipëroi SKËNDER LUARASI