Panucci drejt ndarjes me Shqipërinë dhe bashkimit me gjigantin italian

0
59

Ka pasur shumë kërkesa për largimin e Christian Panuccit nga detyra e përgjedhësit të Shqipërisë, por duket se tekniku Italian do të jetë ai që do ta marrë hapin i pari.

Jemi në prag të afatit kalimtar dhe të gjitha klubet janë sy e veshë nga përforcimet. Kjo vlen jo vetëm për lojtarët, që ndryshojnë “ajrin”, por në ndonjë rast edhe për trajnerët. Dhe në rastin e Romës, ku Eusebio Di Francesco është në fije të perit, ndryshimet në shtabin teknik duket mëse të mundshme.

Klubi kryeqytetas po “i shoshit” kandidaturat, mes të cilave duket se është edhe ish-futbollisti i saj, aktualisht trajner i Kombëtares së Shqipërisë, Christian Panucci. Media italiane e zbulon këtë pistë, duke nënvizuar se Panucci ka kontratë me Shqipërinë deri në nëntor 2019.

Sidoqoftë, ka dhe emra të tjerë, që lakohen për bankinën verdhekuqe. I tillë dhe më “i nxehti”, për zëvendësimin e mundshëm të Di Francesco, është Paulo Sousa. Siç lexojmë sot në faqet e “Il Messaggero”, opsioni alternativ për Paulo Sousa, nëse shkarkohet Di Francesco, është Christian Panucci. Ish-mbrojtësi i Romës nuk e ka ndërprerë kurrë marrëdhënien e tij me Baldinin dhe ka një lidhje të madhe me De Rossin.

Mbetet të shihet nëse Panucci do të joshet vërtet nga kjo mundësi e madhe profesionale për të, apo do t’i qëndrojë besnik presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili e “votëbesoi” në momentin kur i kishte të gjithë kundër në mjedisin kuqezi, edhe rezultatet në Ligën e Kombeve./OxygenPress.info