Pamje të lavës së vullkanit Etna në Itali

0
170

Shpërthimet spektakolare të vullkanit në malin Etna e arritën kulmin të hënën në itali, duke krijuar pamje mahnitëse të lavës që rrodhi përgjatë 1.500 metrave.

Vullkani më aktiv i Evropës ka qenë edhe më aktiv javëve të fundit. Hiri që doli nga ky vullkan ka arritur deri në Catania, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

“Etna po bën spektakël këto ditë”, tha Marco Neri, ekspert i vullkanologjisë dhe anëtar i Institutit Kombëtar për Gjeofizikë dhe Vullkanologji.

“Ky është qartazi shpërthimi më i fuqishëm në kraterin jugor që është zbuluar më 1971. Nuk kemi parë shpërthime kaq të mëdha për vite të tëra, por momentalisht nuk ka rrezik për popullsinë, përpos tymit që mund të shkaktojë vështirësi në frymëmarrje dhe hirit që mund t’i mbulojë rrugët dhe ndërtesat”, shtoi ai.

Shpërthimet e shpeshta të Etnas nganjëherë e kanë ndryshuar peizazhin e Sicilisë juglindore. Shpërthimi që ka zgjatur më së shumti në këtë vullkan ka ndodhur në korrik të vitit 1614, kur aktiviteti shpërthyes i vullkanit kishte zgjatur dhjetë vjet.

Shpërthimi më i njohur dhe më shkatërrues kishte ndodhur më 1669, kur lava dhe tërmetet kishin shkatërruar disa qyteza dhe kishin arritur deri në det.