Palmer: SHBA-ja do të mbështesë dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja

Departamenti amerikan i Shtetit tha se interesat e Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor janë të qendrueshme dhe strategjia e tyre ndaj këtyre vendeve në thelb ka mbetur e pandryshuar.

Komentet u bënë nga zyrtari i lartë Matthew Palmer, në një intervistë me shërbimin e Zërit të Amerikës në gjuhën boshnjake.

Matthew Palmer, zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit dhe përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, tha se nën administratën e re të Presidentit Biden mund të pritet një vazhdim i angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor, për një partneritet të fortë dhe të qëndreshëm me SHBA.

“Politika amerikane, angazhimi amerikan, strategjia amerikane në Ballkanin Perëndimor, ka qenë në thelb e qëndrueshme nga administrata në administratë. Kjo sepse interesat amerikanë janë konstante,”.

Palmer drejton diplomacinë amerikane për integrimin e këtyre vendeve në institucionet perëndimore.

“Ajo që ne do të dëshironim të shihnim është që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë të forta, të gjalla, të begata, në paqe me veten dhe me fqinjët si dhe të integruar në institucionet evropiane. Kjo do të thotë anëtarësim në Bashkimin Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, anëtarësim në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut për të gjithë ata që e marrin këtë vendim dhe që aspirojnë anëtarësimin,” tha Palmer.

Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë, Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se SHBA do të do të inkurajojnë qeverinë e re, që t’i japë përparësi dialogut me Serbinë.

Palmer thotë se përpjekjet për normalizimin Kosovë-Serbi janë me rëndësi.

“Shtetet e Bashkuara po investojnë në këtë drejtim përpjekje të konsiderueshme, energji dhe kapital politik. Ne mbështesim plotësisht procesin e dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe punën e Miroslav Lajcakut si Përfaqësues i Posaçëm për Bashkimin Evropian” tha Palmer.

Ai tha se hapat pozitive në një drejtim të caktuar në Ballkanin Perëndimor sjellin pasoja pozitive diku tjetër në rajon.

“Nëse mund të ketë normalizim dhe ripajtim Serbi-Kosovë, unë do të thosha se kjo është gjë e mirë për të gjithë në rajon,” tha zëvendës ndihmës sekretari i shtetit./VOA