Palmer: Është urgjente, sa më shpejt të arrihet marrëveshja

0
82

I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, e ka konfirmuar se amerikanët e konsidërojnë urgjencë arritjen e një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Palmer, në takimin që mbajti me studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, ai ka thënë se pajtimi është zgjidhja e duhur për të zhbllokuar potencialin.

“Sa më shpejt që është e mundur të arrihet marrëveshja. Po, e ndiejmë një lloj urgjence se çdo ditë që kalon pa zgjidhje është ditë e humbur kot. Zhbllokimi i potencialit të plotë të të dyja vendeve, kërkon pajtimin. Po, kemi një ndjenjë të urgjencës. Nuk do t’ju jap kohë të caktuar për këtë, duam që gjërat të ecin përpara shpejt”, ka thënë Palmer.

Për të dërguarin për Ballkanin nuk është e rëndësishme mënyra se si do të arrihet marrëveshja, mirëpo ai e thekson se është e nevojshme që kjo gjë të ndodhë në një mënyrë. Ai ka thënë se nuk do të spekulojë për më shumë detaje.

“Sa i përket formatit se si do të duket, Dejton apo Rambuje, nuk do të spekuloj për këtë se çka do të ndodhë apo nuk dotë ndodhë, sa i përket procesit dhe procedurave”, ka shtuar diplomati amerikan.

“Tani jam i fokusuar që të dy palët t’i kthej në tavolinë, t’i kthej në negociata, t’i kthej te puna serioze dhe e vështirë për të folur për këto çështje për të identifikuar kompromiset dhe për të lëvizur procesin përpara”, thotë tutje Palmer.

Sidoqoftë, kjo vizitë e Palmer nuk është e rrallë në Kosovë, pasi në një kohë të shkurtër ai ka qenë në Kosovë për disa herë.

Ndryshe, Palmer zhvilloi takim me presidentin Hashim Thaçi, të cilit ia theksoi sërish nevojën për rinisje të dialogut.