Pajisje e re për pastrimin e lumenjve nga mbeturinat plastike

0
72

Ekspertët thonë se 8 milion tonë mbeturina plastike lundrojnë çdo vit në oqeanet e botës, një kërcënim për jetën brenda dhe jashtë ujit. Një shpikës nga Holanda ka gjetur një zgjidhje për pastrimin e tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi sjellë hollësitë.

Është një armë e qëndrueshme në luftën kundër mbeturinave plastike, e shpikur së fundmi në qytetin port holandez të Roterdamit.

“Ne duhet të pastrojmë mbeturinat që tashmë janë në oqeane. Ne gjithashtu shpresojmë që të merremi edhe me parandalimin e hedhjes së më shumë mbeturinave plastike në oqean.”

25-vjeçari Boyan Slat, Shef Ekzekutiv i organizatës The Ocean Cleanup, ka braktisur studimet universitare për t’u marrë me këtë punë. Deri vonë, fondacioni u përqëndrua në mbledhjen e plastikës tashmë në oqean. Slat thotë se parandalimi i derdhjes së mbeturinave plastike, që dekompozohen me ngadalësi, në oqeanet e botës kërkon përqëndrimin e vëmendjes te lumenjtë që derdhen në oqeane.

“Ne mësuam se 1.000 lumenj janë përgjegjës për 80 për qind të ndotjes dhe gjetja e një zgjidhjeje për këtë problem është e mundur”, thotë Bryan Slat.

Shpikja e tij, e quajtur Interceptori, ankorohet në një shtrat lumi. Krahët e tij lundrues mbledh mbeturinat, pa dëmtuar kafshët ose trafikun e lumenjve.

“Pra, është përdorur rreth një muaj e gjysmë në lumë, dhe po funksionon shumë mirë, duke mbledhur shishet plastike dhe mbeturinat”, thotë Izhan Hashim, përfaqësues i qeverisë së Malajzisë.

Organizata The Ocean Cleanup ka vendosur Interceptorët e saj në Malajzi, Indonezi dhe Vietnam. Një e katërta e interceptorëve të saj të tjerë pritet të vendosen në Republikën Dominikane.

“Tani kemi të gjitha mjetet për ta bërë këtë, kështu që unë nuk mendoj se ka ndonjë justifikim tjetër që mbeturinat plastike të jenë të pranishme në oqean. Tani, varet nga të gjithë ne që të sigurohemi që të pastrojmë mbeturinat plastike në oqeane.”

Anijet e Pastrimit të Oqeanit funksionojnë me energji diellore dhe atë të prodhuar nga uji. Interceptori kushton 775,600 dollarë, dhe Boyan Slat thotë se kompania ka bërë marrëveshje për dislokimin e tyre me qeverinë e Tajlandës dhe drejtuesit e qytetit të Los Anxhelesit në Kaliforni.