Osmani: Telefonat e rinj e veturat e blinduara presin, duhet maska falas për qytetarët

0
81

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se propozimi i saj për shpërndarjen e maskave falas shumëpërdorimëshe për qytetarët është bërë për shkak se ka kërkesa të mëdha nga qytetarët kudo.

Osmani ka thënë se është pikërisht gjendja e rëndë ekonomike që ka bërë atë të propozojë një gjë të tillë, përcjellë KultPlus.

Kryekuvendarja ka thënë se në vend të kërkesave për shpenzime luksi që bëjnë institucionet siç janë mobiliet e reja, telefonat e madje edhe veturat e blinduara ato shuma të ndahen për maskat falas.

“Është pikërisht gjendja ekonomike e qytetarëve e cila më ka shtyrë që ta bëjë një amendament të tillë. Në vend se të brengosemi për 3 milionë euro që do të shpenzoheshin për maska për qytetarët ne duhet të brengoseshim për shumë shpenzime luksi që janë propozuar nga institucione të ndryshme. Buxheti që mund të shfrytëzohet për maska të merret nga shpenzimet e institucioneve që dëshirojnë t’i shfrytëzojnë për blerjen e mobiljeve të reja, sepse mobiljet munden me pritë. Përderisa buxheti është paraparë për mobilje, telefona të rinj, laptopa madje për vetura të blinduara, më mirë është që ajo shumë të shfrytëzohet që t’ia lehtësojmë barrën ekonomike qytetarëve që kanë nevojë”, ka thënë Osmani.