Osmani: Sot, dua t’ju ftoj që ta kthejmë vëmendjen te vlerat demokratike, si bartëse të shpirtit të lirive njerëzore

0
121

Mesazh i kryetares së Kuvendit, dr. Vjosa Osmani, me rastin e Ditës së Demokracisë

Të dashur qytetarë të vendit tonë,

Sot, festohet Dita e Demokracisë, sistemit më të përparuar politik të cilin e ka njohur njerëzimi! Dita e Demokracisë këtë vit na gjen duke u ballafaquar me pandemi, e cila përveç se ka sulmuar shëndetin dhe jetët tona, po e sulmon edhe demokracinë.

Prandaj, sot, dua t’ju ftoj që ta kthejmë vëmendjen te vlerat demokratike, si bartëse të shpirtit të lirive njerëzore.

Demokracia është platforma që ka mundësuar çdo herë të mbizotëroj vullneti i shumicës qytetare. Ky koncept themelor, i kanonizuar në tri parime kryesore të demokracisë: LIRI, BARAZI DHE DREJTËSI, i dëshmoi botës se shoqëria njerëzore mund të organizohet mbi vullnetin qytetar, nëse krijohen mekanizma të cilët i promovojnë liritë njerëzore, e ruajnë si të paprekshëm këtë vullnet qytetar dhe i japin mundësi qytetarit që t’i krijojë dhe t’u nënshtrohet ligjeve, të cilat kurrsesi nuk duhet të jenë represive. Këto vlera sot përfaqësojnë qytetërimin perëndimor, e si të tilla duhet të frymojnë përherë edhe në Kosovë.

Prandaj, në këtë ditë të veçantë, është rasti që ta kujtojmë rrugëtimin tonë në frymën e demokracisë. T’i kujtojmë rrënjët e qytetërimit të hershëm në këto troje, trashëgiminë e të cilit ne e ruajmë me kujdes edhe sot; ta kujtojmë aleancën e hershme të shqiptarëve me vlerat e demokracisë në të parin projekt integrues për Evropën, atë të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut; ta kujtojmë artikulimin politik të vullnetit të shumicës në periudhën e Rilindjes Kombëtare, të përmbledhura në programin politik të Lidhjes së Prizrenit; ta kujtojmë orientimin e fuqishëm prodemokratik në fund të viteve ’80 të shekullit të kaluar, kur ne, evropianët e vjetër, po rilidheshim me qytetërimin perëndimor në refuzimin plebishitar të ideologjisë komuniste dhe të ideologjisë së njëshit, duke u organizuar në të parën lëvizje prodemokratike dhe properëndimore në hapësirat e ish-Jugosllavisë, e cila u njoh si lëvizje për pavarësi. Ajo i promovoi qartë vlerat qytetëruese demokratike, duke i përkthyer tri vlerat e njohura të demokracisë: “liri, barazi, drejtësi” në sloganin: “Liri, Pavarësi, Demokraci”. Ky orientim i yni në vitet ’90 i vuri themelet e shtetësisë së Kosovës, por edhe e ridëshmoi vendin e shqiptarëve në familjen qytetërimit perëndimor.

Demokracitë sot rrezikojnë të zhbëhen nga “përfaqësimi i pakicës” ose nga shpërfillja e vullnetit të shumicës qytetarë. Në shumë vende të botës, përfaqësues të caktuar politikë kanë arritur që ta manipulojnë demokracinë, duke e manipuluar vullnetin e shumicës. Rreziku shtohet kur ky manipulim bëhet edhe nëpërmjet devijimit të ligjeve për ta arritur qëllime të caktuara politike. E tillë është zgjedhja e qeverive të pakicës, e cila e shpërfill vullnetin qytetar, një skenar fatkeqësisht tashmë mirë i njohur edhe në vendin tonë.

Porse, duhet kujtuar gjithmonë që demokracia nënkupton edhe përgjegjësi qytetare e njerëzore. Demokracia na jep mundësi secilit dhe secilës nga ne që ta ndërtojmë jetën mbi këto vlera, e po ashtu na bën përgjegjës për zhvillimin dhe mbrojtjen e tyre dhe na mvesh me përgjegjësi morale për zgjedhjet që bëjmë dhe vlerat që i mbrojmë. Prandaj, pjesëmarrja jonë aktive në jetën shoqërore edhe aktivizmi qytetar, janë parakusht për mbijetesë por edhe për konsolidim të demokracisë në çdo kohë e çdo vend. Demokracia, të nderuar qytetarë, ka kuptim vetëm kur dëgjohet zëri juaj. Ajo e humbë kuptimin kur zëri e vullneti juaj i qartë devijohet apo shkelet.

Demokracia pa pjesëmarrje është e vakët, ajo rrezikon të lëkundet, aq më tepër tani kur po ballafaqohemi me “krizat” e vazhdueshme të demokracisë, të cilat jo rrallë herë, në djepin e demokracisë, në Evropë por edhe në botë, kanë ngjallur ide radikale dhe politika të gabuara, të cilat mund t’i rrezikojnë vetë shtyllat e sistemit demokratik.

Por, sot, në veçanti, kërcënim serioz për demokracinë po përbën edhe pandemia e koronavirusit. Nëse nuk mobilizohemi tani dhe nuk i kushtojmë vëmendje parandalimit të disa tendencave autoritare, shumë shpejt mund të bëhet shumë vonë. Nëse nuk tregohemi të kujdesshëm tash, viktima më e madhe e kësaj pandemie mund të jetë pikërisht demokracia. Andaj, mobilizimi i qytetarëve dhe angazhimi i politikbërësve e i mediave për të mbrojtur demokracinë tani është më i rëndësishëm së kurrë, pasi që tashmë nuk ka dyshim që demokracia paraqet sistemin më efektiv për trajtimin e krizave globale duke garantuar mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve, duke mbrojtur gjithpërfshirjen e duke garantuar pjesëmarrjen e të gjithëve, pa dallim.

Demokracia mundëson që pabarazitë të adresohen, që shoqëria të mobilizohet, që brengat e përditshme të diskutohen, që fjala e lirë te jehojë, që llogaridhënia dhe transparenca të triumfojnë – e kjo formulë është formula e vetme që mund të garantojë trajtimin me sukses të emergjencës aktuale të shëndetit publik dhe pasojat e pandemisë. Andaj, sot, nga çdo pozitë që kemi, duhet të përkushtohemi për të mbrojtur demokracinë – për të mbrojtur vlerat demokratike. Duke mbrojtur vullnetin tonë të qartë, të shprehur me votë, ne e mbrojmë pikërisht demokracinë që e ndërtuam me shumë mund e sakrificë.

Bashkëqytetarë të dashur,

Urime Dita e Demokracisë – qofshin vlerat demokratike udhërrëfyes i ndërtimit dhe udhëheqjes së shtetit tonë gjithnjë!