Osmani: Me mësimin online, MASHT-i siguroi të drejtën themelore për qasje në arsim

0
51

Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani sot ka takuar ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Hykmete Bajrami.

Kryetarja Osmani i ofroi ministres Bajrami përkrahje të plotë dhe vlerësoi në maksimum punën që e ka bërë MASHT-i, mësimdhënësit dhe stafi mbështetës me mësimin online.

“Edhe pse të përballur më vështirësi të shumta, ia dolët që me sukses të arrini që të siguroni qasjen në një prej të drejtave themelore të njeriut, respektivisht qasjen në arsim. Mësuesit dhe arsimtarët që po bëjnë punë të shkëlqyer, pavarësisht vështirësive dhe ballafaqimit me rreziqet nga pandemia”, ka thënë zonja Osmani. Më tej, ajo ka potencuar rëndësinë e organizimit të mësimit online edhe për komunitetet joshumicë.

“Jam e lumtur që ky mësim po organizohet edhe për komunitet joshumicë. Sot, gjatë ditës do ta vizitoj shkollën “Emin Duraku”, në Prizren, për t’u bindur me cilësinë e organizimit të mësimit online për ta”, ka thënë Osmani.

Kryetarja e Kuvendit ka thënë se pandemia ka ndikuar në rivlerësimin e objektivave për arsimin, por nuk e ka ndryshuar qasjen për arsim gjithëpërfshirës dhe ngritje të cilësisë. Në këtë kontekst, zonja Osmani ka thënë se Kuvendi i Republikës së Kosovës do të jetë përkrah Ministrisë së Arsimit në nisma kuvendore legjislative, apo avokim publik mbi peshën e arsimit dhe rëndësinë e investimit në të.​