Operacioni ‘Stuhia’ apo Oluja: Triumfi i Kroacisë, dhimbja e Serbisë

0
849

Kur ranë granatat në Knin, Savo Štrbac ishte ende në krevat në dhomën e tij. Por ai e kuptoi menjëherë se po vinin kroatët. “Vrapova drejt dritares. Përmbi qytet mund të shihje kërpudhat e shpërthimit. Si breshër, një breshër i madh”, kujton ai. Zjarri i artilerisë ishte “pa dallim”, këtë fjalë Savo Štrbac e përdor shpesh. Atëherë ai ishte pjesë e qeverisë së Republikës Serbe separatiste të Krajinës. Knin ishte kryeqyteti. Megjithëse nuk u njoh zyrtarisht, kjo qeveri serbe kontrollonte de facto një të tretën e territorit të shtetit kroat në kohën e luftës.

Festë dhe zi

Këtë gjendje donte ta ndryshonte operacioni “Oluja” – sipas fjalës serbokroate për stuhinë. Zvonko Milas ka qenë oficer i ustrisë kroate në këtë ofensivë. Sot ai është anëtar i parlamentit kroat për Unionin Kristian Demokrat dhe pretendon se nuk ka pasur goditje me artileri në Knin. “Nuk është shkatërruar asnjë ndërtesë.”

Dhjetra mijëra serbë marrin arratinë pas “Oluja”-s

Milas rrëfen më shumë për krimet serbe të vitit 1991, sidomos për sulmin brutal ndaj Vukovarit në kufi me Serbinë. “Duhej të rendja me djalin pesëvjeçar nëpër fusha me misra. Pas lufte nuk mund ta dalloja më rrugën në Vukovar, çdo gjë ishte shkatërruar.”

“Oluja” zgjati 48 orë, kaq kohë u nevojit për ta vendosur nën kontroll territorin e shkëputur. Tani në Kroaci festohet fitorja, si në Knin ashtu edhe në Zagreb me një paradë ushtarake, madhështore për nivelin ekonomik të Kroacisë. Në këtë festë nuk luan ndonjë rol që u dëbuan 200.000 serbë nga frika e futjes së forcave kroate, dhe shumica nuk u kthyen më. Disa gjykata ndërkombëtare e deklaruan këtë si pastrim etnik. Sot në Kroaci gati nuk përmendet që ndër ata që nuk morën arratinë janë bërë vrasje për shpagim – burime të ndryshme bëjnë fjalë nga 700 deri në 2.500 civilë serbë të vrarë. Në Serbi për këtë është shpallur e mëkura (05.08) ditë zie.

Injorim i palës tjetër

Deputeti konservator kroat, Zvonko Milas është i mendimit se Kroacia feston ditën e fitores në “një luftë për të cilën ajo u detyrua”. Të gjithë kriminelët duhet të dalin para drejtësisë. Por pse deri më tani para drejtësisë ka dalë vetëm një kriminel për krimet e bëra pas “Oluja”-s, kësaj pyetjeje Milas nuk i jep dot përgjigje. Ai thotë se në Republikën e Kroacisë funksionon ndarja e pushteteve. “E dini se nganjëherë e drejta dhe drejtësia nuk janë e njëjta gjë.”

Ivica Dikic është më kritik. “Para se të festohet me kaq pompozitet dhe ushtarakisht, Kroacia duhet të përballet edhe me krimet e bëra ndaj popullsisë serbe”, thekson kryeredaktori i gazetës “javore për pakicën serbe, “Novosti”. “Në shumë vite kemi pasur elita qeverisëse në Kroaci që kanë çimentuar karakterin çlirues të “Olujas”-s. Ana tjetër e këtij operacioni u injorua, pra pastrimi etnik dhe dëshira e pafshehur e presidentit të atëhershëm Franjo Tudxhman për uljen nën 3% të numrit të serbëve në Kroaci.”

Që u bë gjoja një operacion i pastër i kroatëve, këtë e tregojnë edhe vendimet e komandantëve kroatë që u liruan nga akuzat nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë, thotë Dikic. Por gjykatësit nuk i mohuan krimet me vendimet e tyre. Edhe Gjykata Ndërkombëtare, që në shkurt e refuzoi akuzën e të dyja palëve serbëve e kroatëve, nuk i mohon krimet e ndryshme që lidhen me Oluja-n, përkundrazi pastrimi etnik konfirmohet nga kjo gjykatë.

Kroatien-Krieg 1991 – Entwicklung der Migration nach Deutschland
Vukovari i shkatërruar nga forcat serbe

Larg pajtimit

Dragan Popovic, drejtues i Qendrës së Beogradit për Politikën Praktike, NRO thotë se me të drejtë në Serbi ka zemërim që kriminelët në Kroaci ende janë të lirë. Por edhe Serbia nga ana e saj hesht për rolin e luajtur në fillim të luftës, kur Republika Srpska e Krajinës u shpall përmes mbështetjes direkte ushtarake, financiare, politike nga Beogradi. “Asokohe u dëbuan 180.000 kroatë nga Krajina-pra një përmasë e krahasueshme me pastrimin e mëvonshëm etnik kundër serbëve. Pra Serbia nuk ka të drejtë të ngrejë flamurin e moralit.

Çfarë mund të thotë për këtë ish-sekretari i qeverisë së atëhershme të Krajinës, Savo Štrbac? Jo shumë. “Betejat mes serbëve dhe kroatëve në shekullin e 20-të kanë qenë të përgjakshme dhe pa mëshirë. Por serbët kanë vuajtur gjithmonë më shumë.” Po ashtu edhe ish-oficeri kroat, Milas flet gjerësisht për vuajtjet e popullit të tij. Në këto dy dekada gjërat kanë lëvizuar vetëm në qerthullin e fajësimeve të dyanshme, gjë e bën shumë të vështirë pajtimin mes dy vendeve.