Odat dhe sindikatat e shëndetësisë kërkojnë të kompensohen sipas ligjit të pagave

0
61

Odat e profesionistëve shëndetësorë dhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, kanë nënshkruar sot një komunikatë të përbashkët ku bëjnë të ditur qëllimet dhe veprimet e tyre pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Ligjit të Pagave në sektorin publik.

Oda e Mjekëve të Kosovës, Oda e Infermierëve, Oda e Stomatologëve dhe Oda e Fizioterapeutëve, bashkë me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë, po kërkojnë nga Qeveria që t’i kompensojë punëtorët shëndetësorë sipas katalogut të pagave në ligjin e pagave, i cili u anulua nga Kushtetuesja.

“Të gjithë profesionistëve shëndetësor t’i kompensohet shtesa mbi pagat aktuale në shumë të referuar sipas katalogut të pagave që ishte i përfshirë në Ligjin e shfuqizuar për pagat e sektorit publik, ndërkaq diferencat për kategori të veçanta të profesionistëve shëndetësorë të diskutohen në afat prej dy javëve të ardhshme”, thuhet në komunikatën e nënshkruar nga krerët e këtyre institucioneve.

Komunikata vlerëson se Kushtetuesja nuk e ka konstatuar ndonjë parregullësi dhe as shkelje kushtetuese sa i përket pjesës së rregullimit të nivelit të pagave të profesionistëve shëndetësor.

Këto gjashtë organizata të punëtorëve shëndetësorë po kërkojnë që deri në muajin tetor të miratohet ligji në përputhje me kushtetutën në mënyrë që punëtorët shëndetësorë të marrin pagat me rritje sipas ligjit nga janari i vitit 2021.