OBSH: Shumë herët për të përcaktuar origjinën e COVID-19

0
34

Është shumë herët për të nxjerrë ndonjë përfundim nëse COVID-19 e ka origjinën në Kinë, deklaroi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e cila është në një mision në këtë vend.

“Të gjithahipotezat janë në tryezë. Është qartësisht shumë herët për të arritur në një përfundim mbi vendin ku ka lindur ky virus, qoftë në Kinë apo jashtë Kinës”, theksoi drejtori i ngarkuar me çështjet e urgjencës shëndetësore në OBSH, Michael Ryan në një konferencë shtypi në Gjenevë.

“Ekzistojnë vëzhgime të ndryshme shkencore në pjesë të ndryshme të botës”, shtoi ai duke nënvizuar se ky është një pazëll i madh dhe nuk mund të kemi një vizion duke parë një prej 10 000 pjesëve të pazëllit.

Një ekip ekspertësh mbërritën më 14 janar në Wuhan për të filluar hetimet mbi origjinën e koronavirusit të ri vdekjeprurës, rastet e para të të cilit u zbuluan në fund të 2019 në këtë qytet në pjesën qendrore të Kinës.

Anëtarët e misionit u transportuan që prej mbërritjes së tyre në një hotel për të mbajtur aty një karantinë prej dy javësh. Që atëherë, ata kanë punuar në distancë dhe pasi të ketë mbaruar karantina, ata do të jenë në gjendje të shkojnë në vend dhe të takojnë kontaktet e tyre kineze.

Kina ka lënë të kuptohet vazhdimisht se virusi është shfaqur jashtë kufijve të saj.

Deri tani si pasojë e COVID-19 kanë humbur jetën dy milionë persona në botë dhe janë infektuar dhjetëra milionë të tjerë./ATSH