OBSH: Më pak se 10% e popullsisë e ka kaluar COVID-19

0
39

Sa njerëz duhet të jenë të vaksinuar apo të kenë antitrupa nga kapërcimi i COVID-19, që të ulet mundësia e virusit për t’u shpërndarë? Kjo pyetje u bë nga gazetarët në konferencën e OBSH-së.

Epidemiologia Maria Van Kerkhove tha se janë rreth 100 studime që po vazhdojnë njëkohësisht në të gjithë botën, dhe OBSH është duke bashkëpunuar me 50 shtete merren me studime të ndryshme, me një larmi antitrupash e modelesh testimi.

Ajo që ka mësuar OBSH deri tani nga këto studime është se më pak se 10% e popullsisë ka gjurmë antitrupash kundër COVID-19. Është vënë re që antitrupat janë në nivel më të lartë te punonjësit e shëndetësisë, të cilët kanë qenë të ekspozuar ndaj virusit. Po ashtu, edhe banorët në zona ku ka pasur shumë raste.

Megjithatë, pjesa më e madhe e popullsisë mbetet e prekshme nga virusi, dhe kjo do të thotë që virusi ka ende shumë mundësi për t’u përhapur. Për këtë arsye, është jetike që njerëzit të bëjnë kujdes me masat distancimit social.

OBSH pret që personat që janë infektuar nga virusi të kenë krijuar imunitet ndaj tij, por studimet po përpiqen të kuptojnë se për sa kohë do të zgjasë ky imunitet, dhe se sa i fortë është. Pra, ende nuk është krijuar një ide e qartë nga studimet e deritanishme pasi është ende herët./Euronews Albania