OBSH-ja sqaron deklaratën për personat asimptomatikë me COVID-19

0
297

Sa mund të bartet coronavirusi nga njerëzit e infektuar, por pa simptoma, është ende “një e panjohur e madhe”, ka thënë një shkencëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Mjekja, Maria Van Kerkhove ka thënë të hënën se personat pa simptoma “shumë rrallë” e bartin virusin te tjetri.
Mirëpo më vonë ajo ka thënë se ky vëzhgim është bazuar në studime të vogla.

Sipas saj, ky pretendim përbën “pyetje të hapur”, pasi nuk dihet nëse këto të gjetura vlejnë në nivel global.

Të dhënat sugjerojnë se personat me simptoma janë të infektuar më shumë, dhe se sëmundja mund të bartet para se i infektuari të kuptojë se ka virusin, përcjell rel.

Ndonëse një pjesë e njerëzve, që kanë dalë pozitivë në testet për coronavirus, nuk ka pasur simptoma, ende nuk është bërë e qartë sesa mund ta bartin infektimin te personat tjerë.

Van Kerkhove ka thënë se të dhënat, për të cilat ka diskutuar, kanë ardhur nga shtetet që kanë kryer “gjurmim të detajuar të kontakteve”.

Kujtojmë se rastet e para me coronavirus janë raportuar në Wuhan, Kinë, në fund të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën me këtë virus janë infektuar mbi 7 milionë persona.

Prej tyre, mbi 3 milionë janë shëruar, derisa mbi 400,000 kanë vdekur.