OBSH: Bota në prag të një dështimi katastrofik moral për vaksinat antiCovid

0
152

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus paralajmëroi sot se bota do të përballej me dështim katastrofik moral nëse vendet e pasura përfitojnë nga vaksinat antiCovid-19 në kurriz të vendeve të varfra.

“Unë dua të jem i prerë. Bota është në prag të një dështimi katastrofik moral dhe çmimi i këtij dështimi do të paguhet nga jetët dhe jetesa e vendeve më të varfra të botës”, tha ai.

Në një fjalim në hapjen e një takimi të këshillit ekzekutiv të OKB në Gjenevë, ai kritikoi qëndrimin egoist të vendeve të pasura dhe kritikoi ashpër prodhuesit e vaksinave që kërkojnë miratimin e rregullatorit në shtetet e pasura dhe nuk i paraqesin të dhënat e tyre në OBSH për të marrë një dritë jeshile për përdorimin global të vaksinave.

Duke besuar se premtimi i aksesit të barabartë në të gjithë botën për vaksinat kundër koronavirusit tani ishte komprometuar, kreu i OBSH theksoi se 39 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit ishin administruar tashmë në të paktën 49 vende të pasura.

”Në të njëjtën kohë, vetëm 25 doza u administruan në një nga vendet me të ardhura më të ulëta. Jo 25 milion, jo 25 000, por vetëm 25″, u ankua ai.

Tedros tha se ndërsa disa vende dëshironin siguri në lidhje me qasjen e barabartë te vaksinat, ata po i jepnin përparësi marrëveshjeve të tyre me prodhuesit, duke rritur çmimet dhe duke u përpjekur të anashkalonin radhën.

Ai tha se 44 marrëveshje ishin lidhur në vitin 2020 midis këtyre vendeve dhe prodhuesve, dhe të paktën 12 të nënshkruara që nga fillimi i vitit.

“Situata është përkeqësuar nga fakti që shumica e prodhuesve kanë përparësi miratimin rregullator në vendet e pasura ku fitimet janë më të larta, në vend se të paraqesin dosje të plota në OBSH”, tha ai.

“Jo vetëm që kjo qasje egoiste rrezikon më të varfrit dhe më të prekshmit në botë, por është gjithashtu e dënuar të dështojë”, paralajmëroi Tedros.

“Në fund, këto veprime vetëm do të zgjasin pandeminë dhe vuajtjet tona si dhe kufizimet e nevojshme për ta përmbajtur atë. Vuajtjet njerëzore dhe ekonomike gjithashtu”, tha Tedros./ATSH