Numri i infektimeve me COVID-19 ende shumë i lartë në Gjermani

0
58

Niveli i kontaminimeve me COVID-19 në Gjermani është ende shumë i lartë, por kufizimet e reja të vendosura në vend që prej fillimit të muajit kanë qenë efikase dhe inkurajojnë optimizmin për evolucionin e situatës epidemiologjike, theksoi sot autoriteti shëndetësor referues.

“Shifrat janë ende shumë të larta, shumë shumë të larta, por masat kufizuese janë efikase dhe ne jemi në rrugën e duhur”, deklaroi në një konferencë shtypi Lothar Wieler, president i institutit shëndetësor Robert-Koch (RKI), duke shtuar se ishte optimist.

“Ende nuk është e mundur të vlerësohet nëse fakti që infeksionet nuk rriten në mënyrë eksponenciale çdo ditë është një ndryshim në trend, duhet të presim”, shtoi ai.

“Për Institutin Koch, të dhënat tregojnë akoma se masat kanë pasur një efekt, njerëzit i kanë zbatuar dhe se ne jemi në rrugën e duhur”, nënvizoi Lothar Wieler.

Instituti raportoi 22 609 raste të reja në 24 orët e fundit. Incidenca për 100 000 banorë në shtatë ditë është 139, ende larg objektivit prej 50, por nuk ka rritje.

Instituti regjistroi gjithashtu 251 viktima të reja duke e çuar numrin total që nga fillimi i pandemisë në 13 370 nga 855, 916 infeksione.

Numri i të shëruarve ka arritur në 562 700./ATSH