Nuk ka shtretër të lirë në Infektivë, kërkohen masa të reja

0
112

Klinika Infektive tash e disa ditë ka përmbushur kapacitetet spitalore. Numri i rasteve të reja është në rritje, ndërkohë që nuk ka as edhe një shtrat të lirë brenda klinikës.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Izet Sadiku, ka propozuar që të merren masa të reja që të menaxhohet mirë kjo situatë.

Ai ka njoftuar se është duke u bërë gati edhe Klinika Interne për trajtimin e rasteve.

Sadiku ka thënë para mediave se kërkesat për shërbime janë shumë të mëdha, ndërkohë që brenda ditës janë duke u trajtuar mbi 120 raste.

“Në Klinikën Infektive që disa ditë lirohen disa dhe pranohen disa gjatë ditës. Por, shtretër të lirë për të qëndruar për disa orë nuk ka, zakonisht në katër-pesë ditë e fundit më nuk kemi asnjë shtrat të lirë që qëndron i lirë. Për shkak se kërkesat janë shumë të mëdha. Është rritur edhe numri i pacientëve në klinikat tjera, gjë që tregon se orientimi i parë është Infektiva”.

Sadiku është shprehur se trendi i rritjes së numrit të rasteve me virusin, ende jo plotësisht të njohur, tregon se duhet të merren masa të reja.

“Për shkak se marrja e masave varet nga kapacitet spitalore të çdo shteti. Dhe ne realisht tani kemi në bazë të informatave të fundit, në kufi të masave dhe të shfrytëzimit të spitaleve. Ka filluar edhe Klinika Interne të përgatitet për lirim të pacientëve. Kjo tregon që ti nuk guxon me tejkaluar kapacitetet spitalore që i ka. Sigurisht që Shërbimi Spitalor Klinik Universitar është duke i bërë përgatitjet që të pranojë të gjithë pacientët. Por, unë mendoj që nëse ky trend vazhdon dhe rritet numri i rasteve të reja pozitive, duhet të analizohet edhe marrja e masave që sigurisht cila do formë që do të jetë, mendoj që duhet të merren forma më e përshtatshme që është”.

Meqë Kosova ende nuk ka siguruar vaksinën kundër COVID-19, Sadiku ka shtuar se institucionet duhet të shohin mundësitë për menaxhim më të mirë të situatës.

“Kemi pasur edhe gjatë kësaj periudhe staf të infektuar. I kemi i kemi tetë infermierë dhe një mjek të infektuar, javën e kaluar. Përkundër kësaj ne po arrijmë që me forcat tona të japim ndihmë për gjithë ata që po kërkojnë në Klinikën Infektive. Edhe pse kërkesat për hospitalizim janë shumë të mëdha”.

Ditëve të fundit pothuajse çdo ditë numri i rasteve të reja pozitive me këtë sëmundje arrin shifrën afër 800. E vetëm në këtë klinikë po trajtohen mbi 100 pacientë.

Furnizimi me vaksinën anti-COVID, është premtuar herë në muajin shkurt, e pastaj edhe në mars. Kosova ka gjasa që as këtë muaj të mos marrë asnjë dozë të vaksinës. Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj javën e kaluar ka deklaruar se aleanca COVAX gjatë muajit mars do të nis prodhimin e vaksinës gjatë muajit. / KP