“Nona e fshatit”, gruaja që udhëhoqi një fis burrash

0
76

Nga Flogerta Krypi

Dikur jetonte “nona e fshatit”, kështu e quaja unë gjyshen nga ana e babit. Ajo ishte një grua e shkurtër, e dobët, me sy si qielli dhe shpirt si toka. Kur ajo punonte arën uji buçiste nga çdo anë dhe bimët ktheheshin nga vdekja. Kur piqte misra, flokët tonë shndërrisnin nën flakët e sobës, e lëkura mbante aromën e dheut.

Ajo ishte gruaja e hekurt e krypajve, ajo që i ulte të gjithë në sofër dhe nuk kishte diskutime të dyta. Fjala e saj ishte urdhër, shpesh e hidhur si helmi e pastaj të merrte për qafe sikur asgjë nuk kishte ndodhur.

Nona e fshatit e bënte gjalpin vetë, laknuri nuk mungonte në sofër, dhalli kishte gjithmonë mjaftueshëm kripë dhe buka mezi dilte, por asnjëherë nuk përfundonte. Kur ajo jetonte të bijtë e dinin derën e shtëpisë, ktheheshin, ashtu si qeni tek i zoti. Nën aromën e rakisë së thanave kërciste shamata, se andej nga anët tona, burrat dhe kur janë të lumtur bërtasin.

Po ajo ishte aty, dinte të ngrinte shkopin mbi kokën e secilit dhe nuk kishte rëndësi kush idhnohej, ajo sërish jepte urdhrat e askush nuk diskutonte. Në qafë mbante çelsin e ushqimeve. Mendonte për çdo kohë, sepse ajo mbijetoi çdo ditë jete, asnjëherë nuk jetoi.

I mbijetoi një fisi burrash kripe, një mentaliteti, urisë, shtypjes, punës. Nona e fshatit qante rrallë, pas sobës, pas lëverës së bardhë, por kurrë para një burri. Se ajo e dinte mirë peshën e lotit të vet. Më kujtohet që vinte për të ikur, se e prisnin punët, arat, vija e ujit, mullarët e barit, dhentë, fshesa prej kronesh, krypajt e zallit, kafja mbi sobë, fasulet e kuqe, laknuri, nipat, mbesat, bijtë, bijat, i shoqi dhe në fund shtrati i dheut ku do prehej.

Ajo e dinte që do vdiste nën gurët e maleve ku eci pa pushim. Ime më më thotë që i ngjaj tim eti për të ecur, e për të se i ngjan nonës. Nona e fshatit prej pesëmbëdhjetë vitesh nuk ecën më. Rruga e saj është prerë. Tani po rrit ata që nuk mundi të përkëdhelte. Mori me veten Manjolën, Xhonin, xhaxhi Ilirin, Gjysh Salën, Dajan e Peshkajve e shumë të tjerë.

Ne na la pas në një rrugëtim pa krye, se shtëpisë së krypajve i iku zonja e hekurt. Asnjë nuk qe i denjë me ia zënë vendin e kurrësesi sdo munden. Se ajo e dinte mirë si të drejtonte një fis burrash duke qenë një GRUA.