Njihuni me “Xhorxh Uashingtonin e Amerikës së Jugut”

0
65

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 48 me rradhë ka Simon Bolivar.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXXXVIII- Simon Bolivar

(1783-1830)

Simon Bolivarin shpesh e quajnë “Xhorxh Uashingtonin e Amerikës së Jugut” për shkak të rolit të madh që ka luajtur për çlirimin e pesë shteteve jug-amerikane (Kolumbisë, Ekuadorit, Venezuelës, Perusë dhe Bolivisë) nga pushtimi kolonial spanjoll. Praktikisht, nuk ekziston figurë tjetër që të ketë luajtur rol kaq vendimtar në historinë e tërë këtij kontinenti.

Ai u lind në vitin 1783 në Karakas të Venezuelës në një familje aristrokate me prejardhje spanjolle. Në vitet e formimit ai u ndikuar shumë nga idetë e kulturës franceze. Bolivari lexoi veprat e Xhon Lokut, Rusoit, Volterit dhe Monteskjesë.

Në rini vizitoi disa vende të Evropës. Në vitin 1805, në majën e Aventinës në Romë, u betua se nuk do të qetësohej përderisa vendlindja e tij nuk do të çlirohej nga pushteti spanjoll.

Në vitin 1808, Napoleon Bonaparti hyri në Spanjë, ku pushtetin ia la në dorë vëllait të vet. Kështu, duke ia hequr familjes mbretërore spanjolle të drejtën e pushtetit të vërtetë politik, Napoleoni u krijoi kolonive jug-amerikane mundësinë e artë për t’u ngritur në luftë për pavarësi politike.

Revolucioni kundër pushtetit spanjoll filloi në vitin 1810 me rrëzimin e guvernatorit spanjoll në Venezuelë, ku pas një viti u shpall zyrtarisht pavarësia. Bolivari u bë oficer i ushtrisë revolucionare. Por, në vitin 1812, Spanja e rimori përsëri pushtetin këtu. Udhëheqësi i revolucionit, Fransisko Miranda u burgos, ndërsa Bolivari u arratis.

Edhe në vitet e mëvonshme luftërat vazhduan. Fitoret kalonin sa nga njëra palë në tjetrën, por pasojat ishin të rënda. Çasti kryesor i kthesës ndodhi në vitin 1819, kur Bolivari me ushtrinë e tij të vogël kaloi përmes lumenjve, luginave dhe Andeve të larta për të sulmuar ushtrinë spanjolle në Kolumbi. Në Bojakë, më 7 gusht të vitit 1819 ai udhëhoqi betejën vendimtare, që i dha kthesë luftës. Si rezultat i kësaj beteje Venezuela u çlirua në vitin 1821, ndërsa Ekuatori një vit më vonë, në vitin 1822. Në të njëjtën kohë, patrioti argjentinas Hose de San Martin çliroi nga pushtuesit spanjollë Argjentinën dhe Kilin dhe u drejtua të çlironte Perunë. Gjatë verës së vitit 1822, dy çlirimtarët, Simon Bolivari dhe Hose de San Martini u takuan në qytetin Gvajakil të Ekuadorit.Megjithatë, ata nuk ranë dakord për një plan të përbashkët bashkëpunimi e bashkërendimi të luftës kundër ushtrive spanjolle. San Martini me forcat e tij nuk kishte qëllim të luftonte me Simon Bolivarin ambicioz (kjo vetëm i ndihmoi spanjollët), ndaj u tërhoq nga roli i komandantit duke e lënë përgjithmonë Amerikën e Jugut. Në vitin 1824 ushtritë e Bolivarit çliruan territorin, që tani përfshihet nga Peruja dhe pas një viti i dëbuan ushtritë spanjolle nga Peruja e sipërme, Bolivia e sotme.

Vitet e tjera të Bolivarit nuk janë aq të sukseshme. Mbresa të fuqishme tek ai kishin lënë Shtetet e  Bashkuara të Amerikës, ndaj mendoi të krijonte federatën e shteteve të reja jug-amerikane. Venezuela, Kolumbia dhe Ekuadori, krijuan republikën e përbashkët të quajtur Kolumbia e Madhe, në krye të së cilës president u zgjodh Bolivari. Për fatë të keq, prirjet centrifugale në Amerikën e Jugut ishin shumë më të fuqishme se ato të kolonive në Amerikën Veriore. Kur Bolivari në vitin 1826 thirri Kongresin e Shteteve Hispano-amerikane, ftesën e pranuan vetëm katër shtete. Kështu, në vend që në Kolumbinë e Madhe të përfshiheshin sa më shumë vende, ajo vetë filloi të shkatërrohej. Filloi lufta civile. Në vitin 1828 u krye sulmi ndaj forcave të Bolivarit. Në vitin 1830 Venezuela dhe Ekuadori u përçanë. Duke menduar se ai ishte pengesë për arritjen e paqes, në prill të vitit 1830 Bolivari dha dorëheqjen. Në dhjetor të të njejtit vit vdiq si një i internuar i mjerë nga vendlindja, Venezuela.

Bolivari la mbresat e një njeriu shumë ambicioz. Ndoshta edhe koha e kërkonte që ai të sillej ngandonjëherë si diktator. Përballë kësaj, në situata të veçanta, ai ishte i gatshëm të sakrifikonte ambiciet vetjake për mirëqenien e përgjithshme, për idealet demokratike dhe të mos zbatonte metodat diktatoriale. Një herë, iu ofrua froni i mbretit, por ai nuk e pranoi. Pa dyshim që e ndiente se titullin El liberator (Çlirimtar), që ia kishte dhën populli ishte nder shumë më i madh se çfarëdo kurore mbretërore që mund të merrte.

Nuk ka dyshum që Bolivari është figura më e rëndësishme në çlirimin e Amerikës spanjolle nga pushtimi kolonial. Ai udhëhoqi edhe drejtimin ideologjik të lëvizjeve për çlirim: shkroi artikuj, nxori gazetë, mbajti fjalime, dërgoi letra. Ishte i palodhur për të mbledhur fonde parash për mbështetjen e luftës. Ai ishte edhe udhëheqësi kryesor ushtarak i forcave revolucionare.

Megjithatë, nuk do të ishte e saktë të mendonim që Bolivari ka qenë udhëheqës i madh ushtarak. Armatat, që drejtoi ai nuk ishin të mëdha dhe nuk u udhëhoqën mirë. Vetë ai nuk kishte dhunti të veçanta si strateg ushtarak. Kjo nuk na befason, pasi ai nuk kishte asnjë lloj arsimi ushtarak. Por, Bolivari të gjitha  mangësitë e veta i zëvendësonte me karakterin e pathyeshëm si përpara ushtarëve të tij, ashtu edhe përpara armikut. Pas çdo humbjeje me spanjollët, kur ndonjë nga bashkëpuntorët e tij bëhej gati të tërhiqej nga lufta, ai e mblidhte për së dyti ushtrinë dhe vazhdonte vendosmërisht luftën. Sipas mendimit tonë, Bolivari është figurë shumë më e shquar se Jul Çezari apo Karli i Madh, pasi shndërrimet që solli ai kanë vlera më të qëndrueshme dhe përhapje më të gjerë në shumë rajone. Megjithatë, Bolivari në libër është klasifikuar pas Aleksandrit të Madh, Adolf Hitlerit dhe Napoleonit, pasi ngjarjet në ato kohëra nuk do të ndodhnin po të mos ekzistonin ata. Ndërsa nga ana tjetër, është vështirë të besohet se vendet jug-amerikane nuk do ta fitonin pavarësinë  e tyre edhe pa Bolivarin. Interesant është krahasimi që mund të bëhet midis Simon Bolivarit dhe Xhorxh Uashingtonit. Bolivari ishte në krye të ushtrive të vogla dhe të papërgatitura mirë. Duke mos patur mjete të mjaftueshme, ai u bë një udhëheqës jashtëzakonisht frymëzues për të mbajtur unitetin e ushtrisë. Në ndryshim nga Uashingtoni, Bolivari i liroi të gjithë robërit e vet. Krahas kësaj, me proklamata dhe klauzola kushtetuese ai u përpoq të kapërcente robërinë në vendet e çliruara. Përpjekjet e tij nuk ishin të gjitha të suksesshme, se edhe kur vdiq, robëria ekzistonte një rajon.

Bolivari është një figurë interesante dhe e ndërlikuar:figurë  dramatike, guximtare, romantike. Ai ishte idealist dhe largpamës, por nuk kishte aftësitë administrative të Uashingtonit. Bolivari binte lehtë pre e lajkave. Bolivari ishte shumë më ambicioz se Uashingtoni, por vendet e çliruara prej tij nuk patën ndonjë përfitim të veçantë. Nga ana tjetër, fitimet materiale, në përgjithësi atij nuk i interesonin. Kur u mor me politikë ishte i pasur, kur u largua nga ajo mbeti i varfër. Territori që Bolivari çliroi nga pushtimi kolonial është shumë më i madh se territori i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, është e qartë se ai u klasifikua më poshtë se Uashingtoni në libër për arsye të rolit të madh, që kanë luajtur Shtetet e Bashkuara të Amerikës në histori në krahasim me vendet e çliruara nga Bolivari.

 

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Rene Dekart.