Njihuni me njeriun që hartoi ligje që dënonin prishjet martesore dhe ndihmonin në shtimin e lindjeve

0
588

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të tetëmbëdhjetin me radhë e ka Oktavian Augustin.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr XVIII Oktavian Augusti
63 p.e.s.-14

Oktavian Augusti, themeluesi i Perandorisë Romake, është një ndër figurat e rëndësishme të historisë. Ai u dha fund luftërave civile në Romë dhe në vitet e para të shekullit të parë të erës sonë, riorganizoi pushtetin në mënyrë të tillë, që për 200 vjet me radhë në Perandorinë Romake mbizotëroi paqja e brendshme dhe mirëqenia.
Ai u lind në vitin 63 p.e.s. dhe kur u bë 35 vjeç mori titullin “August”. Jul Çuzari, figurë e shquar politike e kohës me që nuk kishte fëmijë, dhe duke e pëlqyer Gaj Oktavianin e vogël, e adaptoi. E futi në shkollë për ta përgatitur në arenën politike. Kur Çezari u vra në vitin 44 p.e.s., Oktaviani 18-vjeçar ende nuk e kishte mbaruar shkollën. Vdekja e Çezarit, shkaktoi trazira të shumta që përfunduan në luftëra për pushtet midis udhëheqësve të ndryshëm politikë dhe ushtarakë të Romës.
Në fillim, rivalët me përvojë të gjatë në jetën politike të Romës, Oktavianin e ri nuk e shihnin si ndonjë rrezik për pushtet. E vetmja përparësi e dukshme e Oktavianit ishte adaptimi prej Jul Çezarit. Megjithatë, shumica e luftëtarëve të vjetër ishin prirur nga Mark Antoni, që kishte qenë bashkëpunëtor i afërt i Çezarit. Në vargun e luftërave disavjeçare, që ndodhën më vonë, shumica e pretendentëve për pushtet u mundën. Kështu, Roma dhe territoret e tjera u ndanë midis Mark Antonit, që drejtonte në pjesën lindore dhe Oktavianit, që drejtonte në pjesën perëndimore.
Pas disa vite luftërash, këta dy udhëheqës bënë një farë paqeje midis tyre. Në kushte të tilla, Mark Antoni filloi që kohën e tij t’ia kushtonte marrëdhënieve dashurore me Kleopatrën, ndërsa Oktaviani bëri gjithçka për të forcuar pozitat e tij. Kështu, në vitin 32 p.e.s., shpërthyen përsëri luftërat midis kundërshtarëve, që arritën kulmin pas një viti , me betejën që ndodhi në Aksi, ku forcat e Oktavianit triumfuan, ndërsa Antoni me Kleopatrën u vetëvranë. Oktaviani nuk arriti të krijonte një pushtet të tillë, siç e kishte krijuar 15 vjet më parë Jul Çezari. Jul Çezari u vra se po përgatitej për t’i dhënë fund rendit republikan në Romë, ku të zgjidhej vetë monark. Por, në vitin 30 p.e.s., pas luftërave civile shumëvjeçare dhe pas shkatërrimit të rendit republikan, shumica e romakëve, kërkonin të zgjidhej një despot i zoti, me qëllim që të ruheshin përfitimet demokratike.
Edhe pse u ngjit në fron me kundërshtime të mëdha nga senatorët, kur e mori pushtetin, Oktaviani, papritur u tregua i butë. Në vitin 27 p.e.s. për t’i pajtuar ata, ai e ribëri Republikën të re, duke propuzuar që të tërhiqej nga të gjitha funksionet shtetërore. Në të vërtetë, ai mbeti në krye të provincave të Spanjës, Galisë dhe Sirisë. Por, duke parë faktin, që pjesa më e madhe e ushtrisë romake, ishte përqendruar pikërisht në ato provinca, pushteti i vërtetë kishte mbetur përsëri në duart e tij. Me votime, për merita të mëdha, në moshën 35-vjeçar iu dha edhe titulli i nderit “August”, por ai nuk e pranoi. Zyrtarisht, Roma mbeti Republikë. Sipas kësaj, titulli “August”nuk do të thoshte asgjë më tepër, se qytetar i parë i Republikës. Senati, i kënaqur dhe i bindur nga kjo, propozoi që Oktaviani ta zgjidhte vetë funksionin e tij, sipas dëshirës. Kështu, deri në fund të jetës, Oktaviani, mbeti një diktator. Kur vdiq ai, në vitin 14, Roma tashmë ishte monarki. Pra, ishte fare normale, që djali i tij i adaptuar t’i trashëgonte fronin.
Augusti, mund të jetë shembulli më i mirë në histori i despotit të aftë dhe njeriut të mirë. Me plot kuptimin e fjalës, ai ishte një pushtetar, politika e të cilit solli mënjanimin e antagonizmave të thella, që ishin shfaqur në Romë nga luftërat civile. Augusti udhëhoqi mbi 40 vjet në Romë, ndërsa politika e tij la gjurmë edhe shumë vite të tjera në jetën e Perandorisë. Gjatë udhëheqjes së tij, ushtritë romake pushtuan Spanjën, nënshtruan Zvicrën, Galatinë (në Azinë e Vogël) dhe një pjesë të madhe të Gadishullit të Ballkanit. Nga fundi i pushtetit të tij, kufijtë veriorë të Perandorisë Romake arritën deri në vijën Rajna Dunav, dhe mbetën të pandryshuar edhe shumë shekuj të tjerë.
Augusti ka qenë administrator i shkëlqyer dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në ndërtimin e institucioneve shtetërore. Ai rinovoi sistemin e taksave dhe të financave të shtetit të Romës, riorganizoi ushtrinë dhe formoi flotën e rregullt. Krahas këtyre, krijoi gardën vetjake dhe gardën e territorit, të cilat në shekujt e mëvonshëm do të luanin rol të rëndësishëm si për mbrojtjen e perandorëve, ashtu edhe të pushtetarëve të tjerë.
Gjatë pushtetit të Augustit, në gjithë Perandorinë Romake u ndërtuan rrugë të veçanta; në Romë u ndërtuan mjaft objekte të rëndësishme dhe në mënyrë të veçantë u bë zbukurimi i qytetit. U ngritën edhe tempuj. Augusti u interesua për mbrojtjen e vlerave kulturore dhe ato fetare romake. Gjithashtu, u hartuan ligje të tilla që dënonin prishjet martesore dhe ndihmonin në shtimin e lindjeve.
Gjatë pushteti të Augustit, Roma përjetoi paqen e brendshme, gjë që shpuri në rritjen e mirëqenies njerëzore dhe në zhvillimin më të madh të kulturës. Nuk është e rastit, që epoka Augustiane, në letërsinë romake u quajt Shekulli i Artë. Në atë kohë jetoi dhe krijoi poeti më i madh romak, Virgjili. Në atë kohë jetuan edhe krijuan edhe një numër i madh shkrimtarësh, si Horaci, Livi etj. Vetëm Ovidi u bë i padëshirueshëm për Augustin, ndaj dhe u internua jashtë Romës.
Augusti nuk kishte fëmijë. Ndërkohë i vdiqën një i afërm dhe dy nipër. Me këtë shpjegohet, adoptimi që i bëri Tiberit dhe caktimin e tij si trashëgimtar të fronit. Megjithatë, kjo dinasti, e cila më vonë përfshiu Kaligulën dhe Neronin, u shua shpejt. Krahas kësaj, paqja e brendshme dhe qetësia, të njohura si paqja romake, vepër e Augustit, vazhduan dhe rreth 200 vjet të tjera. Për fat, edhe kultura romake, e pranuar edhe nga udhëheqësit e tjerë, hyri thellë në territoret e pushtuara nga Augusti.
Perandoria Romake është shteti më i njohur i kohës së antikitetit. Roma, duke qenë në majë të qytetërimit antik, me të drejtë u bë ndërmjetësi kryesor i kalimit të ideve dhe arritjeve kulturore të botës antike (të egjiptianëve, babilonasve, hebrenjve, grekëve etj.) në Evropën Perëndimore.
Interesant është krahasimi i Augustit me pararendësin e tij, Jul Çezarin. Edhe pse Augusti ishte i pashëm, inteligjent, me karakter të fortë dhe i sukseshëm në betejat luftarake, përsëri nuk kishte hijen e Çezarit. Jul Çezarit ka ndikuar fuqishëm te bashkëkohësit, aq sa lavdia e tij nuk i është errësuar. Megjithatë, kur bëhet fjalë për ndikimin në historinë njerëzore, pa dyshim, Augusti qëndron para Jul Çezarit.
Krahasimi i Augustit mund të bëhet edhe me Aleksandrin e Madh: Që të dy u përfshinë në skenën politike shumë të rinj. Por, që të arrinte deri në majë të saj, Augustit iu desh që të luftonte me një numër të madh kundërshtarësh më të fuqishëm se vetja. Aftësite luftarake të tij nuk kanë qenë me vlera të jashtëzakonshme, si ato të Aleksandrit, por megjithatë, kanë lënë mbresa të fuqishme. Pushtimet e Oktavianit kanë qenë shumë të qëndrueshme se të Aleksandrit. Pikërisht, këtu qëndron ndryshimi thelbësor midis këtyre të dyve. Mbi të gjitha, ndikimi i Augustit në historinë botërore është shumë më i qëndrueshëm.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.
Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.
Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Nikolla Koperniku.