Njihuni me Milan Šufflay, albanologu kroat që sakrifikoi jetën për të hedhur dritë mbi historinë e shqiptarëve

0
94

Nga Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and history

Më 19 shkurt 1931, u vra brutalisht Milan Šufflay, historiani dhe politikani kroat, një nga themeluesit e Albanologjisë dhe autori i romanit të parë të trillimeve shkencore kroate. Anëtarët e organizatës së regjimit, Jugosllavia e Re, nën mbrojtjen mbretërore, i zunë pritë në pragun e tij në Zagreb dhe ia thyen kafkën me një çekiç, duke e vrarë kështu.

Pastaj, ata hynë në banesën e tij dhe morën dorëshkrimin e librit të tretë të “Codex Albanicus”. Asnjëherë nuk ka pasur çfarëdo hetimi në lidhje me kriminelët. Autoritetet mohuan çdo njohuri mbi sulmuesit dhe ndaluan aktivitetet në lidhje me funeralin e Sufflay-it. Albert Einstein dhe Heinrich Mann i dërguan një letër Lidhjes Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Paris duke i apeluar publikut kulturor global për të protestuar kundër vrasjes së Milan Sufflay duke bërë thirrje për mbrojtje të shkencëtarëve kroatë nga regjimi Jugosllav.

Apeli iu drejtua “Ligue des droits de l’homme” (Lidhja e të Drejtave të Njeriut) me qendër në Paris dhe u botua në faqen e parë të New York Times më 6 maj 1931. Artikulli akuzoi mbretin e Jugosllavisë për bashkëpunim në krim. Vrasësit ishin agjentët e policisë Belosevic dhe Zwerger, të cilët ikën në Beograd.

*****

Ndërsa, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka përkujtuar sot  Milan Šufflay, të cilin e ka cilësuar si, mikun e madh të kombit tonë, Dëshmorin e Albanologjisë.

“Në 90-vjetorin e vrasjes së tij brutale, nderojmë sot me mirënjohje kujtimin e paharruar dhe veprën e jashtëzakonshme të mikut të madh të kombit tonë, Dëshmorit të Albanologjisë, Milan Šufflay, i cili sakrifikoi jetën për të hedhur dritë mbi të vërtetën e historisë dhe lashtësisë të shqiptarëve”, është shprehur Presidenti Meta.

“Një zemër kroate, që rrahu për Shqipërinë, u përjetësua si një urë e rëndësishme lidhëse dhe simbol i miqësisë tradicionale mes dy popujve tanë, ka theksuar Presidenti Meta.