“NJERËZIT QË NUK I RESPEKTOJNË MASAT MBROJTËSE ANTI-COVID-19 MUND TË KENË VEÇORI PSIKOPATIKE TË PERSONALITETIT”

0
119

Nga Blerim Myftiu, neurolog

Mbajtja e maskës (mbulesës) së fytyrës dhe distancimi fizik (social) janë metodat e vetme mbrojtëse të cilat i kemi momentalisht në dorë për ta luftuar koronavirusin e ri SARS-CoV-2 dhe sëmundjen të cilën e shkakton ai – Covid-19. Edhe personi më laik në mjekësi do të duhej të kishte kuptuar deri tani që në kohën e karantinimit më strikt (mars-prill 2020), numri i infeksioneve të reja dhe të përgjithshme shkonte duke rënë. Kurse, me lirimin e masave mbrojtëse që automatikisht shkaktoi shtimin e kontakteve (të pambrojtura) fizike, numri i infektimeve po ngjitet dita-ditës dhe përnatë po shënojmë rekorde të reja, gjithsesi të zeza.

Halë në sy na (më) janë bërë njerëzit që bredhin rrugëve pa maskë, grumbull të rinjsh e të rejash përgjatë Rrugës B apo korzosë së Prizrenit (natyrisht pa maskë), takimet me përqafime a puthje ndërmjet njerëzve, apo të tjerët që futen në Albi Mall me maskë në fytyrë (ngase ua kërkon roja në derë) por duke u bredhur brenda maskën e mbajnë në krah, sikur shiritin e kapitenit!

Mosbindja, mosndjeshmëria, kokëfortësia, budallallëku, çoroditja apo quani si të doni këto veprime të të pabindurve shpjegohen edhe përmes studimit të fundit psikosocial që tregon se në bazën e këtyre sjelljeve qëndrojnë “veçoritë e errëta të personalitetit”, siç janë psikopatia, ligësia dhe disinhibimi. Narcisizmi (interesimi i tepruar në apo admirimi i vetvetes, përkatësisht personaliteti që nuk ka empati) dhe makiavelizmi (shkelja e çdo parimi për të arritur qëllimin) ndikon në gatishmërinë e një personi për ta respektuar një normë sociale në emër të një dobie të përgjithshme, siç është shëndeti.

Studimi ka përfshirë 502 amerikanë të moshës së rritur, të cilëve u është bërë testi i personalitetit, të cilët janë përcjellë për bindjen e tyre ndaj rregullave të imponuara të shtetit për distancë sociale dhe mbajtje maske, si edhe kanë plotësuar një pyetësor në lidhje me këto rregulla. Personat me nota të ulëta për bindje, vetëdije, ligësi (meanness) dhe disinhibim, del se kanë më pak gjasë t’i ndjekin rregullat sociale/shëndetësore.

Për fat të keq, pandemia po e nxjerr më të mirën dhe më të keqen e një shoqërie!