Një rrugëtim përmes shkrimit në fshatrat arbëreshe

0
97

Të ashtuquajturat arkitektura të vogla, por sigurisht të një rëndësie të jashtëzakonshme, përfaqësojnë një trashëgimi të shkëlqyer të kulturës ndërtimore popullore të arbëreshëve. Gjitonia është bërthama themeluese e fshatit shqiptar.

Forma e saj buron nga rregullimi i kasolleve që ndërtuan refugjatët shqiptarë në themel të fshatrave. Nga vendbanimi i pasigurt, me të cilin u organizua kampi modest i familjeve refugjate, ata kaluan në ndërtimet e përhershme e përfundimtare, që u bënë qelizat e para urbane të fshatit. Gjitonia, në format e saj më arkaike, ka një hapësirë të tillë qendrore (të quajtur shesh), drejt së cilës përballen dyert e katër ose pesë shtëpive, që, përmes një sistemi rrugor, lidhen me hapësirat e tjera.

Në këtë mënyrë, ato formojnë strukturën e pëlhurës urbane, si një shenjë e barazisë shoqërore, si mërgimtarë që ishin, për të qenë të pandashëm në jetën sociale. Shtëpitë e tyre ishin shumë të thjeshta, kishin një plan katërkëndor, pothuajse asimetrike, me linjë jo të rregullt, me një ose dy kate me çati dhe nënçati, ose dykatëshe, të mbuluara me pllaka balte (si shtëpitë modeste rurale të kontekstit kalabrez, por është ruajtur origjinaliteti i tyre ballkanik).

Në gurët e disa portave të shtëpive ka stema në dyer të gdhendura, që janë emblema të legjioneve, një shenjë e një populli luftëtar, në të cilin edhe gratë shërbenin në ushtri. Perdet e dritareve janë element dallues për shtëpitë e arbëreshëve. Ato kanë motive shqiptare dhe janë në harmoni me kontekstin arkitekturor të banesës. Në disa qendra me origjinë shqiptare ekzistojnë aktualisht artizanë (kryesisht gra), të cilët merren me përpunimin e gjineshtrës, të cilën e bëjnë fije me tezgjah dhe me to krijojnë mbulesa dhe perde shumë të bukura origjinale, tipike arbëreshe. Një element i kulturës lokale konsiston në futjen e furrës brenda shtëpisë.

Kjo ndodh për dy arsye: së pari, sepse shqiptarët kishin mënyrën e tyre të gatimit të ushqimit, duke preferuar që të gatuanin tava në furrë, por edhe roli i saj si sistem ngrohjeje. Nëse do vizitoni qytezat arbëreshe, shpesh do të vëzhgoni nga pjesa e jashtme formën e “gungës” së furrës, një shtëpi të tillë do të gjeni në rrugën “Ascensione”, në pjesën “e sipërme” të fshatit (zona jugperëndimore) Santa Sofia d’Epiri, ose edhe në një qytezë tjetër arbëreshe si ajo e Çiftit (Civita). Elemente të tjera të diversitetit janë disa “hapje” të vogla me Rrugëtim në ngulimet arbëreshe 71 motive orientale. Një dallim tjetër janë edhe qoshet e disa ndërtesave, të cilat janë pjesërisht të rrumbullakosura, duke arritur kulmin në pjesën e sipërme me një hark të vogël, e cila bën daljen nga ana e jashtme.

* Marrë nga libri “Rrugëtim në ngulimet arbëreshe (50 kartolina gjigante arbërore në tokën italiane)” të autorëve Antonio Bellusci dhe Ornela Radovicka botim i Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët.