Një jetë në burgjet e vëllezërve, historia e sopranos së penguar

0
113

E lindur me një talent të spikatur artistik në një familje të pasur, me traditë dhe kulturë, Safete Sokoli mund të kishte qenë një nga sopranot shqiptare të pasluftës që do kishte shëtitur Shqipërinë nga një cep në tjetrin, për të dhënë shfaqje e për të marrë duartrokitje. Por jeta e saj, atëherë kur duhet të niste ngjitjen, mori të tatëpjetën. Safete Sokoli shkeli me këmbë, cepa të Shqipërisë që ndoshta as ua kishte dëgjuar emrin, por për një arsye krejt tjetër: për të vizituar vëllezërit në burgjet ku u ndrynë me radhë. Fillimisht, në vitin 1945, i madhi, Ibrahimi, avokati i diplomuar në Beograd, më pas Ramadani, studenti për flaut dhe kompozicion në Firence, që mbetet etnomuzikologu i parë shqiptar dhe më pas, edhe më i vogli, Hodoja, mësuesi i ri, që doli nga burgu pas 26 vitesh, në 1990…

Një jetë e tërë e kaluar nga një burg në tjetrin, për të parë prapa hekurave të vëllezërit dhe duke u munduar në punë të rënda për të siguruar ushqim për ta, që herës tjetër të mund t’i shihte prapë. Një jetë e tërë nga një burg në tjetrin, e paburgosur, por e dënuar.

Në vitin 1945, kur dënuan Ibrahimin, i cili pas kthimit nga Beogradi ishte bërë pjesë e elitës intelektuale të Shkodrës dhe anëtar i Lëvizjes së Legalitetit, Safetja ishte vetëm 19 vjeç. Ajo ishte fëmija i shtatë i Jusufit dhe Aishes, që patën 3 djem dhe 6 vajza. Ishte rritur mes bollëkut të një prej familjeve më në zë të Shkodrës, në një shtëpi dykatëshe të shekullit XVII, me shkallë mermeri e guri, me çardak dhe një dhomë të madhe me punime në dru, me oxhak madhështor me motive floreale, e pajisur me shandanë e armë argjendi, me orë muri të ardhura nga Azia. Kështu e përshkruan në librin e saj “Dhimbje”, Fatbardha Saraçi Mulleti, e cila e ka takuar nga afër Safete Sokolin në vitin 1996, në atë shtëpi, ku ajo jetonte me të vëllanë, Hodon dhe të vetmin gëzim kishin vizitat e studenteve të arkitekturës që vinin për të punuar në atë shtëpi me arkitekturë të veçantë që kish humbur shkëlqimin e dikurshëm, por i ruante gjurmët e madhështisë.

Kur ishte në shkollë të mesme, siç i ka treguar autores së librit, këngëtarja shkodrane, Antoneta Ndokfillija, Safetja kishte interpretuar bashkë me të, në operën “Drita”. Safete Sokoli, me zë sopranoje, luante rolin e vajzës, Dritës, ndërsa Antoneta, mezzosoprano ishte nëna. Opera me muzikë nga prof. Antonio Muci dhe libret nga drejtoresha e shkollës “Donika Kastriot”, ku studionin vajzat, Silvia Doria, u vë në skenën e shkollës në vitin 1941 dhe Safete Sokoli, 15 vjeç, mori vlerësime të shumta për interpretimin dhe zërin e saj të bukur. Subjekti ishte i thjeshtë. Vajza e vogël i humbet nga sytë nënës në pazarin e Shkodrës. Vite më vonë, po në pazar, buzë liqenit, ajo dëgjon një vajzë duke kënduar dhe e njeh nga zëri dhe nënë e bijë takohen të përmalluara. Jeta e Safetes, do të mbushej me ndarje e takime të përmalluara me njerëzit e saj të dashur, duke nisur nga 4 vite më vonë, kur i arrestuan vëllanë e madh. Pas Ibrahimit, në ‘46-ën, arrestojnë edhe të atin Jusufin, si pjesëmarrës në Lëvizjen e Postribës dhe e dënojnë me dy vjet, si dhe vëllanë, Ramadanin, që kishte lënë përgjysmë studimet për të qenë në Shqipëri gjatë luftës, të cilin e dënojnë me 5 vjet për agjitacion dhe propagandë dhe pjesëmarrje në Lëvizjen e Postribës. Për Safeten nuk kishte më asnjë mundësi për të bërë karrierë si artiste, madje as për të pasur një punë pa stërmundime që u përputhej dijeve të saj.

I vëllai, Ramadani pasi del nga burgu, me gjithë persekutimin e vazhdueshëm, për shkak të përgatitjes së jashtëzakonshme dhe nevojave për muzikantë dhe mësues në institucionet e reja që po krijoheshin, arriti të punonte në sektorin e muzikës, edhe pse jo në nivelet akademike që meritonte, por për Safete Sokolin, ishte e pamundur një ritakim i gëzuar me ëndrrat e saj. Në vitin 1964, kur as prindërit nuk jetonin më, i arrestojnë vëllanë e vogël, Hodon dhe e dënojnë me 25 vjet burg. 25 vjet të tjera burg për Safeten, që do të vazhdonin edhe më gjatë, sepse Hodoja u ridënua si pjesëmarrës në revoltën e burgut të Spaçit, në vitin 1987.

“I ndoqa vëllezërit nëpër të gjitha kampet e punës, nga lindja në perëndim, në Burrel te kështjella famëkeqe e komunizmit, që kanë hyrë njerëzit e nuk kanë dalë gjallë, në Maliq ku thahej këneta, në Beden ku hapeshin kanale… Në shumë kampe pune, ku punonin të burgosurit politikë. E vetme përjetova vdekjen e prindërve, që më vdiqën brenda gjashtë muajve, ata i mbyllën sytë përjetë, pa i parë djemtë që i kishin të burgosur. Prindërit vdiqën, por nuk panë tmerrin tjetër, arrestimin e vëllaut të vogël. Përpos dhimbjes u shtua kalvari i vuajtjeve të mia. Që nga viti 1964 Hodon e dënuan 26 (njëzet e gjashtë) vjet burg, u ridënua në revoltën e Spaçit. E ndoqa vëllaun tem Hodo në kampet famëkeqe, pse jo shfarosës, si: Rrepsi, Burreli, Saranda, Spaçi (që ishte tmerri i tmerreve). Eca e eca tok me bashkëvuajtëset e tjera shkodrane, si me Luçien Koliqi, motër e Jul Koliqit, ajo shkonte të ndihmonte Dom Mikel Koliqin që i kaloi jeta në burg e në internim (në vitin 1995 u bë kardinali i parë i Shqipërisë i Klerit Katolik). Po kalvari im vazhdoi për shumë dekada. Përpos vuajtjeve shpirtërore ishte puna e lodhshme në bujqësi, punova në të gjitha fermat, si: Oblikë, Dobraç, Qafe – Hardhi, gjithmonë e kërrusur. Por edhe aty më ndihmuan moralisht shumë bashkëvuajtës, në veçanti një prift katolik shkodran, i ditur, i talentuar, me një shpirt madhështor, përherë me fjalë të ëmbla, me zërin e tij të qetë bëhej shëruesi i shpirtit tem të vuajtur, e ky prift i nderuar ishte Dom Lazër Jubani (i burgosur politik). Pas ca vitesh u helmua nga dora e sigurimit të shtetit. Ndihesha fare e vetmume. E kalova jetën tuj e pasun shok besnik qenin. Kuptohet njerëzit kishin frikë të na vizitonin, jo më të na flisnin. Por në të gjithë këtë vetmi, vetëm një shoqe e rinisë, e artit dhe e muzikës, nuk më braktisi dhe tasht që jemi të moshuara, ajo më ndjek, kjo është aktorja shkodrane Antoneta Ndokillija (Fishta)”, i ka treguar Safetja, Fatbardha Saraçi Mulletit, e cila e ka ndjekur historinë e jetës së kësaj artisteje të penguar, deri në fund dhe fundi nuk ishte siç duhet të kishte qenë për anëtarët e kësaj familjeje të persekutuar pa mëshirë nga diktatura komuniste.

“Në shkurt të vitit 2003, kulla bujare e veriut, ndërtesa treqindvjeçare u shkrumbua nga zjarri, tasht është gjysmë e djegur dhe me një oborr të shkretuar, një pamje e trishtë. Pleqëria e bëri të sajën, nën përkujdesjen e të afërmve mbylli sytë përjetë Safete Sokoli në shkurt 2004, në një ditë me shi shkodranët e përcollën bilbilin e qytetit, që s’u lejua të këndonte. Ajo iku, por mbet pas vepra e saj e madhe, dashuria e pakufi që u dhuroi vëllezërve të saj dhe zëri i saj i ëmbël ruhet në një incizim nga profesor Ramadan Sokoli, d.m.th. zëri i rinisë së saj jeton, ajo mbet në zemrat tona, një melodi e bukur e pafund… Dy javë pas vdekjes së Safetit, i shkoi pas edhe i vëllai Hodoja…”, shkruan Fatbardha në librin “Dhimbje”.

Safete Sokoli nuk jetoi si artiste, por u bë motra që çdo spektator do ngrihej në këmbë dhe do e duartrokiste gjatë.

 

Drama e familjes Sokoli

Nga Fatbardha Saraçi

Lindi në Shkodër me 15 janar 1926 (familja u bë me shtatë fëmijë). Shtëpia e Sokolajve ishte një ndërtesë shkodrane e shek. XVII dykatëshe, me shkallë mermeri e guri, me çardakun me qoshk, dhomën e madhe me punime të gdhendura në dru (të tavanëve dhe kapakëve të dritareve), oxhaku madhështor me motive floreale, e pajisur me shandane e armë argjendi, me orë muri të ardhura nga Azia, oborri plot pemë e lule, karajfilat e Shkodrës e tulipana shumëngjyrësh, bashkëjetonin një mori kafshësh e shpendësh të sjella nga vende të largëta. Kjo ishte shtëpia e Z. Jusuf Sokolit, ishte një parajsë e vërtetë dhe njihej si një vatër bujare, mikpritëse (siç dinë të presin vetëm shkodranët), qendër patriotike dhe në këtë familje të gjithë këndonin, ndërsa Ramadani ishte muzikologu. U rrit vajza e vogël me shumë dashuri. Ajo ishte e imët, trupvogël, por shumë e shkathët. Ajo kalëronte, zbuste kuajt më të tërbuar, ngiste makinën, ishte gëzimi i familjes së saj. Ajo këndonte me zë të mrekullueshëm, në veçanti këngët e kompozuara nga vëllai Ramadani, si: “Blegërin delja”, “Turtulleshë”, “Ç´u mbush mali” dhe këngët shkodrane. Mbushte me gëzim zemrat e atyre që e dëgjonin. Ne lagjen në Zdralej, ku ndodhej tregu shihja një femër trupvogël, me flokë kaçurrela, e veshur me kostum të zi me vija të bardha, me pantallona e xhaketë, e qetë, e thjeshtë, plot dinjitet, duke blerë ushqime. E shihja plot respekt, se e dija që ishte motra Sokoli, që jetonte e vetme dhe përgatiste çantat me ushqime për vëllezërit qe kishte nëpër burgjet komuniste. Unë gjimnazistja e Shkodrës, (e viteve 1953-1957) e shihja me adhurim dhe e dija që ajo kishte një zë sopranoje dhe ishte bilbili i këngës shkodrane, e njihja mirë dhe më dhimbte zemra për të…

Por me ardhjen e komunistëve në pushtet ç´ndodhi me këtë familje? Në fillim të viteve 1945 arrestojnë djalin e madh të familjes, Ibrahimin, se ishte i diplomuar për drejtësi në Beograd dhe kishte aderuar në Lëvizjen e Legalitetit (pro monarkist dhe atdhetar). Kuptohet ishte antikomunist. E dënojnë dhe bën 27 (njëzet e shtatë) vjet burg dhe internim (bashkë me gruan e tij Shane Dosti dhe kjo e burgosur politike. Në vitin 1946 arrestojnë babanë Jusuf, e dënojnë dy vjet burg (1946 – 48), u akuzua si pjesëmarrës në lëvizjen e Postribës. Po në vitin 1946 arrestojnë Ramadanin me 5 (pesë) vjet burg, akuzohet për agjitacion e propagandë, dhe si pjesëmarrës në lëvizjen e Postribës (në vitin 1943 ishte student në Firence (Itali) në konservator për flaut dhe kompozicion). Por komunistët s´u mjaftuan me kaq, në vitin 1964 i arrestuan dhe i dënuan djalin më të vogël të familjes, Hodon me 25 (njëzet e pesë) vjet burg, i cili u ridënua në revoltën e Spaçit (1973). Një mësues i talentuar, ishte i fejuar, përgatitej të formonte familje, por çdo gjë e jetës së tij u shkatërrua. Ka mbetur proverbiale përgjigjja e tij në gjyq: – Në gjuhën shqipe mbiemri i përshtatet emrit, por ka dhe përjashtime, kur mbiemri nuk i përshtatet emrit, kështu ka ndodhur edhe me mua, s´mund t’i përshtatem sistemit komunist të “Enver Hoxhës”.

Shtëpia e Sokolajve po përjetonte një periudhë shumë të vështirë, trishtim, vetmi, vetizolim dhe njëherit u ndërpre zëri i bilbilit, u plagos zogu i bukur, u ndërpre gazi dhe hareja. Që nga viti 1945 e deri në rënien e komunizmit, kjo familje do të njihej për vuajtje, burgosje, internime dhe lufta e klasave, d.m.th. lufta raciale që bënte partia – pushtet nuk do t’i ndahej. E ëmbla Safet s´u lejua të punonte arsimtare, e hoqën nga ansambli i këngëve dhe valleve, s´këndoi më, s´u lejua të dilte në skenën shqiptare dhe zemra e saj as qeshi, as këndoi ma. Kjo vazhdoi me dekada!

Marrë nga libri “Dhimbje” i autores