Një javë fushatë, këto janë partitë që u gjobitën më së shumti nga PZAP

0
68

118 mijë euro është shuma që partitë politike janë gjobitur nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), gjatë 7 ditëve të fushatës për zgjedhjet e 6 tetorit. Megjithatë PZAP nuk ka arritur ende t’i shqyrtojë më shumë se gjysmën e ankesave për pretendimet e shkeljeve të rregullave të fushatës, raporton Gazeta Sinjali.

Nga 89 ankesa PZAP ka arritur t’i shqyrtojë dhe të vendosë për 36 ankesa, ndërsa edhe 53 të tjera janë në procedurë të shqyrtimit. Nga 36 ankesa të shqyrtuara, 25 janë pranuar si të bazuara, ndërsa 11 të tjera janë refuzuar si të pabazuara.

“36 ankesa janë shqyrtuar dhe vendosur, 25 ankesa janë pranuar si të bazuara, 11 ankesa janë refuzuar si të pa bazuara, 53 ankesa janë në procedurë të shqyrtimit”, thuhet në përgjigjen e PZAP-së për Gazetën Sinjali.

PZAP në përgjigje për Sinjalin ka thënë se deri ditën e djeshme LDK është partia që është gjobitur më së shumti për shkelje së Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore. LDK deri më tani është gjobitur me 30 mijë e 500 euro.

Lista Serbe është partia e dytë që është gjobitur më së shumti me 30 mijë euro. Pas saj renditet PDK e cila deri më tani është gjobitur me 29 mijë euro.

Pas PDK-së, koalicioni AAK-PSD është gjobitur më së shumti në fushatë për zgjedhjet e 6 tetorit, me 26 mijë e 200 euro.

Në ndërkohë koalicioni tjetër mes Nismës, AKR-së dhe PD-së është gjobitur më së paku nga PZAP me 2 mijë e 500 euro.

PZAP në përgjigje për Gazetën Sinjali, ka thënë se shumica e ankesave për fushatën e zgjedhjeve të 6 tetorit kanë të bëjnë me vendosjen e posterave në hapësira, publike, përdorimi i fëmijëve në fushatë, presioni ndaj votuesve për të votuar një parti të caktuar si dhe shfrytëzimi i pozitës publike me qëllim të përfitimit të votave.