Nis projekti “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Vlora Dumoshi dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës (BKK), Fazli Gajraku, kanë në shkruar sot memorandumin e bashkëpunimit për mbështetjen financiare të projektit “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”.

Ky projekt parasheh mbledhjen, dokumentimin dhe vënien në dispozicion për publikun të rreth 300 intervistave të të mbijetuarve që kanë qenë dëshmitarë dhe përjetuar masakrën e Krushës së Madhe të Rahovecit, i cili do të realizohet nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, konkretisht Departamentin e Antropologjisë së Fakultetit të Filozofisë.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi që u organizua në objektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, morën pjesë kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ministrja e MKRS-së, Vlora Dumoshi, rektori i UP-së, Naser Sahiti, drejtori i bibliotekës, Fazli Gajraku, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, kryetari i fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti, dhe shumë personalitete tjera akademike e politike.

Kryeminsitri Hoti tha se ky projekt do të shërbejë si gurthemel për t’i shtruar rrugën hulumtimit të historisë gojore në Kosovë.

“Ky projekt për mbledhjen e rrëfimeve të masakrës së të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe do të shërbejë si gurthemel për t’i shtruar rrugën hulumtimit më të thellë të historisë gojore në vendin tonë”, u shpreh kryeministri duke e përgëzuar MKRS-në dhe BKK-në për këtë projekt.

“Sot po realizohet një hap i rëndësishëm i politikave programore të MKRS-së të cilën po e realizon ministrja Dumoshi, nëpërmjet këtij projekti ku po nënshkruhet ky memorandum. Ky projekt është i një rëndësie të veçantë dhe një përpjekje konkrete që i ka munguar Kosovës në dokumentimin e interpretimeve individuale të të mbijetuarve të kësaj masakre në vitin 1999 Kosovë”, tha ndër tjera kryeministri, i cili i falënderoi dy institucionet që po jetësojnë këtë projekt.

Ndërkaq, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, tha se përmes këtij projekti do të dokumentohet një nga masakrat më mizore të kryera nga forcat serbe.

“Projekti i cili sot po jetësohet është tejet i rëndësishëm për projektet e këtij lloji. Ju bëj ftesë që një nismë e tillë të realizojnë edhe muzeu, arkivi kombëtar. Të mbledhin dhe të grumbullojnë faktet”, tha ajo.

“Dua pafundësisht të falënderoj secilin krushjanë që për të ndihmuar në jetësimin e kësaj historie do të pranojë t’i bëjë ballë dhimbjes së rrëfimit të ngjarjes që ua ndryshoi jetën përgjithmonë”, theksoi ministrja e cila e falënderoi edhe Ambasadën Amerikane për përkrahjen dhe bashkëpunimin në këtë projekt.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, tha se përmes këtij projekti do të dokumentohen histori të masakrës së Krushës së Madhe.

“Këto rrëfime do ta mbulojnë një zbritësi të vuajtjeve dhe të historisë së Kosovës. Pritet të jenë rreth 300 histori gojore të dëshmitarëve. Mbledhja e intervistave dhe materialeve të tjera do të ndikojë në dokumentimin e rrëfimeve të masakrës së Krushës së Madhe”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se ky projekt do të mundësojë që përmes rrëfimeve të dokumentohet masakra e kryer nga Serbia.

“Nga 221 persona sa i vrau Serbia, në mesin e tyre nuk dihet ku është as profesori Ukshin Hoti. Ky projekt ka nevojë të mbështetët nga të gjithë ne, unë si kryetar e mbështes këtë projekt”, tha ai.