NGJASHMËRITË DHE DALLIMET MES COVID-19 DHE GRIPIT

0
205

Të dy viruset kanë pasqyrë të ngjashme të simptomave dhe shenjave të sëmundjes. Ato prekin rrugët e frymëmarrjes duke shkaktuar një gamë të gjerë sëmundjesh prej atyre asimptomatike deri te vdekja.

Veçori tjetër e përbashkët është se të dy viruset përhapen me rrugë të njejtë: përmes kontaktit, spërklave dhe më rrallë gjësendeve të prekura. Prandaj, edhe në parandalimin e tyre përdoren të njejtat masa të shëndetit publik, siç janë: higjena e duarve dhe ajo respiratore (mbajtja e faculetës gjatë kollitjes dhe teshtitjes).

Veti tjetër e përbashkët është edhe përhapja e virusit para shfaqjes së sëmundjes (periudha parasimptomatike). Te COVID-19 kjo periudhë është pak më e shkurtër dhe zgjat zakonisht 2-3 ditë para shfaqjes së simptomave.

DALLIMET MES COVID-19 DHE GRIPIT

Shpejtësia e përhapjes: Shpejtësia e përhapjes së infeksionit është një element i rëndësishëm dallues. Gripi ka një mesatare më të shkurtër të kohës së inkubacionit dhe një interval serik më të shkurtër (d.m.th. koha midis dy rasteve të njëpasnjëshme të infeksionit) sesa virusi që shkakton COVID-19. Intervali serik për COVID-19 vlerësohet të jetë 5-6 ditë, kurse te gripi është 3 ditë. Kjo do të thotë se gripi përhapet më shpejt sesa COVID-19.

Numri riprodhues: apo sa persona infekton mesatarisht një virus. Te COVID-19 ky numër është më i lartë sesa te gripi. Gripi e ka Ro=1.3, kurse te COVID-19 është 2.7-3.2. Megjithatë, për shkak të dallimeve kontekstuale dhe specifike për kohën, këto krahasime janë më të vështira. Kjo për faktin se zyrtarisht COVID-19 i ka bërë vetëm 4 muaj dhe do të vazhdojë të shtrihet më tej anembanë globit.

Fëmijët: Te gripi, fëmijët janë burim i rëndësishëm i përhapjes në komunitet. Kurse, për COVID-19, të dhënat fillestare tregojnë se fëmijët në Evropë preken me një përqindje jashtëzakonisht të ulët (1%). Por, nuk dihet saktë se çfarë roli kanë fëmijët në përhapje të sëmundjes. Të dhënat preliminare sugjerojnë se numri më i madh i fëmijëve janë infektuar nga të rriturit, e shumë më pak ka ndodhur infeksioni anasjelltas.

Pasqyra e sëmundjes: dallim tjetër ekziston në pasqyrën e sëmundjes. Për COVID-19, të dhënat e deritashme sugjerojnë se 80% e infeksioneve janë të lehta, 15% janë infeksione të rënda, që kërkojnë oksigjen dhe 5% janë infeksione kritike, që kërkojnë ventilim mekanik. Përqindja e infeksioneve të rënda është më e lartë sesa te gripi.

Grupet e cenueshme: kategoria më e rrezikuar nga infeksioni i rëndë me grip janë fëmijët, shtatzënat, të moshuarit, personat me probleme shëndetësore kronike dhe ata me imunitet të dobësuar. Për COVID-19, të moshuarit dhe personat me sëmundje bashkëshoqëruese janë kategoria më e rrezikuar.

Vdekshmëria nga COVID-19 është më e lartë sesa te gripi sezonal. Aktualisht është 6.8% në nivel global por ajo përfshin vetëm rastet e raportuara në institucionet shëndetësore. Nëse shtojmë faktin se kemi numër të madh të të infektuarve që nuk janë lajmëruar fare në institucionet shëndetësore, atëherë pasqyra reale e vdekshmërisë është më e ulët. Për gripin sezonal, vdekshmëria është zakonisht 0.1%. Në vdekshmëri ndikon shumë edhe qasja dhe cilësia e kujdesit shëndetësor.

Terapia dhe parandalimi: ende nuk ka ilaç të aprovuar specifik për COVID-19, por shumë sosh janë në përdorim dhe hulumtim të gjerë klinik në botë. Po ashtu, aktualisht ka dhjetëra vaksina në hulumtim e sipër. E kundërta është te gripi, për të cilin kemi edhe terapi antivirale dhe vaksinë në dispozicion.

Burimi: OBSH