Ngjarjet që kishin ndodhur me 27 nëntor

0
48

Vdiq Horaci, poet romak, lindur më 64 pes si Quintus Horatius Flaccus, i njohur në periudhën e kalimit të Romës nga republika në perandori. Odet e tij janë cilësuar si të vetmet vargje latine që ia vlen të lexohen jo vetëm për përmbajtjen por edhe për hijeshi, dhe përzgjedhje. Karriera e Horacit përkoi me tranzicionin, dhe Horaci u bë një zëdhënës perandorak. Por shekullin e kaluar, thonë kritikët, kur patriotizmi i lidhur me lavdinë perandorake, shtetin autoritar a diktaturën, u diskreditua, disa poezi lavdesh të Horacit filluan të shihen me neveri nga audienca moderne.

176 – Perandori Markus Aurelius i jep djalit të tij, Komodus, gradën e gjeneralit dhe e bën komandant të lartë të legjioneve romake. Filmi Gladiator, me drejtor Ridley Scott dhe aktorët Russell Croëe dhe Joaquin Phoenix, e merr temën nga kjo ngjarje, megjithëse devijon nga e vërteta historike.

602 – Perandori romak bizantin Maurice detyrohet të shikojë ekzekutimin e 6 djemve të tij, para se edhe atij t’i pritej koka; trupat e tyre u hodhën në det dhe kokat u ekspozuan në Konstandinopojë; bashkëshortja Konstantina dhe tre bijat e tyre u vendosën në një manastir. E gjithë kjo ndodhi, pasi Maurice dekretoi qëndrimin e ushtrisë gjatë dimrit përtej Danubit, për të ndalur valën e fiseve nga lindja, por ushtarët të lodhur nga disa muaj luftimesh dhe në prag të dimrit, u rebeluan. Mbreti persian Khosrau II i përdori këto përçarje për të rifilluar një luftë kundër Perandorisë. Historianët thonë se vrasja e perandorit Maurice ishte një pikë kthesë në histori, sepse lufta romake-persiane i dobësoi të dyja perandoritë, duke bërë të mundur vendosjen përgjithmonë të fiseve sllave në Ballkan dhe duke hapur rrugën për zgjerimin arab/musliman. Vdekja e perandorit Maurice, për historianët, shënon edhe fundin e epokës së Antikitetit Klasik.

1095 – Në Këshillin e Klermontit, Papa Urban II shpalli kryqëzatën e pare (1096-1099), e cila filloi si një pelegrinazh i përhapur në Francë dhe Gjermani dhe përfundoi si një fushatë ushtarake nga Evropa katolike romake për të rimarrë tokat e Shenjta nën kontrollin musliman. Kjo kryqëzatë përfundoi me rimarrjen e Jeruzalemit më 1099. Gjatë kryqëzatës, kalorës, fshatarët nga shumë vende të Evropës udhëtuan nga toka dhe deti , së pari në Konstandinopojë dhe pastaj drejt Jeruzalemit. Kryqëzatat (gjithsej 9) zgjatën rreth 200 vjet dhe natyra e tyre mbrojtëse ose agresive mbetet e debatueshme.

1895 – Në Klubin suedez – norvegjez në Paris, Alfred Nobel nënshkruan testamentin e tij, duke ndarë mënjanë një fond për Çmimet Nobel, që do të themeloheshin pas vdekjes së tij.

1912 – Në Durrës, shqiptarët ulin flamujt e perandorisë osmane dhe ngrenë në ndërtesat qeveritare flamurin e Skënderbeut me fushë të kuqe me shqiponjën e zezë dykrerëshe. Funksionarët osmanë që refuzuan të njohin këtë ndryshim u përjashtuan nga zyrat e tyre.

1991 – Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miraton rezolutën 721 të Këshillit të Sigurimit, që hap rrugën për fillimin e operacioneve paqeruajtëse në Jugosllavi

2004 – Papa Gjon Pali II i kthen Kishës Ortodokse Lindore reliket e Shën Joan Gojartit dhe Shën Gregor Theologut. Reliket ishin plaçkitur në Kostandinopojë gjatë Kryqëzatës së Katërt më 1204, duke hapur një plagë të thellë në marrëdhëniet midis dy kishave, Ortodokse dhe Katolike. Reliket ishin ruajtur në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, dhe në manastirin Shën Maria në Campo Santo.

2005 – Kryhet transplantimi i parë i pjesshëm i fytyrës njerëzore në një spital në Amiens të Francë. Pacientja iu nënshtrua operacionit për të zëvendësuar fytyrën, e cila ishte dëmtuar rëndë nga një qen. Një pjesë e indeve të fytyrës nga hunda dhe goja e një gruaje të vdekur u transplantua në fytyrën e pacientes. Më 13 dhjetor 2007, raporti i parë i detajuar i progresit të këtij transplantimi botuar në revistën Neë England Journal e Medicine tregoi se pacientja ishte e kënaqur me operimin dhe me fytyrën e saj të re, megjithëse procesi kishte qenë i vështirë e i dhimbshëm. Më 20 mars 2010, një ekip prej 30 mjekësh spanjollë kryen transplantin e parë të plotë të fytyrës së një personi që ishte plagosur në një aksident me të shtëna./OxygenPress.info

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu