Nga toka e Kosovës në sofrën tonë – grave të Krushës u nevojitet ndihmë për prodhim në katër stinët

0
408

Ato janë gra kryefamiljare. Kanë të vrarë apo zhdukur burrat, djemtë, vëllezërit e shumë të tjerë në familje.

Si fillim e hapën Shoqatën e grave të veja e më vonë e kthyen në biznes.

Kooperativa Bujqësore Krusha tashmë është gjithandej tregut në vendin tonë.

Kanë 36 produkte të ndryshme, bio.

Speca, tranguj, lakra e produkte të ngjashme bujqësore dërgojnë rreth 70 fermerë nga Kosova në këtë kooperativë, ato përpunohen, paketohen e dërgohen nëpër pika të shitjes. Punojnë 24 orë gjatë verës, ndërsa gjatë dimrit vetëm me një ndërrim.

“Ne gjithmonë prodhojmë, por nuk mund të arrijmë kapacitetin sa na kërkohet në treg, arsyeja është se na mungojnë serat në Krushë, nuk kemi sera ku mund të kultivojmë në katër stinët, fatëkeqësisht fermeri nuk mund të investojë vet, e ndihmë nuk ju ofron askush. Në rast se janë serat edhe kultivohen specat në katër stinët, atëherë kooperativa mund të ketë prodhim 12 muaj në treg”, thotë drejtoresha Fahrije Hoti, raporton Oxygenpress.info

Nëse kjo do të ndodhte, Hoti thotë se do e arrinin numrin e të punësuarave në 120, e në planin deri në vitin 2025 ku presin për ndonjë donator apo janë përfitues në ministrinë e Bujqësisë, do punësojnë 100 persona.

Ndërsa shpreson që ministria e Bujqësisë mos të vendos kritere shtesë.

Me rreth 50 gra të punësuara në sezonin e perimeve, prokutet tashmë i dërgojnë edhe në tregun ndërkombëtar. Kanë edhe gjashtë grupe të jashtme që punojnë me to.

Në Zvicër, Gjermani dhe Itali mund t’i gjeni këto produkte, që janë më të konsumuara se në Kosovë.

“70% e kemi eksportin e vetëm 30% e kemi tregun e Kosovës”, shpjegon Hoti në Oxygen Show.

Produktet e kësja kooperative janë në tregun tonë nëpër shumë dyqane, por që çmimet janë të larta, mirëpo këto produkte janë ndër më cilësoret gjithandej.

Për ata që dëshirojnë të konsumojnë këto produkte, mund t’i gjeni në shumë markete gjithandej, mjafton ta shihni këtë llogo: