“Newborn” vishet me portrete të grave shqiptare

0
67

Përmes instalacionit “Rimarrje” portretet e 99 grave dhe vajzave u vendosën në monumentin e Newbornit, dhe do të qëndrojnë nga sot  (7 qershor ) deri më datën 14 qershor. Kjo seri interaktive e portreteve feston forcën, këmbënguljen e kontributin e grave nëpër sektorë të ndryshëm për drejtësi e barazi.

20 vjet pas përfundimit të luftës, gratë kosovare po rivendosin rrëfimet e tyre si lidere, inovatore, edukatore, artiste e atlete.

Në mesin e grave të portretizuara në ketë instalacion janë disa nga figurat e rëndësishme si: Vasfije Krasniqi Goodman, Feride Rushiti, Uta Ibrahimi, etj.

E pranishme gjatë këtij aktiviteti ishte edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila përgëzoi projektin të cilin e cilësoi si të domosdoshëm për rolin e gruas.

“Ky projekt është i domosdoshëm për rolin e gruas në Kosovë, rol të cilin e ka luajtur dekada me radhë dhe po inaugurohet në një moment shumë të rëndësishëm. Jemi vetëm disa ditë afër shënimit të 20-vjetorit të lirisë së Kosovës dhe ky projekt na pasqyron ne si shtet i ri. Jo rastësisht është vendosur përballë  monumentit të Heroinave, që po ashtu ka rëndësinë e vet për rolin e gruas në Kosovë, për angazhimin e saj, përkushtimin, e kontributin në këto dekadat e fundit dhe kjo përfaqëson më së miri se sa ka dhënë gruaja për Kosovën sepse ajo ka qenë pjesë e të gjitha proceseve në të cilat shteti ka kaluar, jo vetëm gjatë periudhës së rezistencës dhe luftës por veçanërisht edhe gjatë proceseve të shtet ndërtimit të Kosovës”, tha Jahjaga.