Nesër sërish hidhet në shqyrtim të dytë Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike

0
49

Kuvendi i Kosovës ka konfirmuar se nesër në ora 11:00 do të mbahet seanca e jashtëzakonshme, iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës, për çështjen e Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.

E vetmja pikë e rendit të ditës do jetë, ”Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës, përcjellë Klan Kosova.

Seanca e së premtes, është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës amandamentet e së cilës për miratimin e këtij Projektligji, janë pranuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në këtë listë, përfshihen 200 milionë euro për bizneset, kompensim i parave të trustit për të gjithë personat që kanë deri në 10 mijë euro kursime dhe 300 euro për të gjithë ata që e kanë humbur punën gjatë pandemisë.

Mediet nuk do të lejohen të jenë prezente në seancë përveç se do të transmetohet në ueb-faqen e Kuvendit, Kanalit zyrtar të Kuvendit të Kosovës në Youtube dhe RTK si medium publik.

Ndryshe, Kosova tash e nëntë muaj ballafaqim me pandeminë nuk ka arritur ta votojë Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike ndonëse i njëjti u soll shtatë herë në Kuvend për votim.