Nesër pritet të bëhet shpallja e aktgjykimi ndaj Pal Lekaj dhe të tjerëve, të akuzuar për keqpërdorim me subvencione

0
31

Drejtësia Sot, njofton se nesër pritet të bëhet shpallja e aktgjykimit ndaj ish-Kryetarit të Komunës së Gjakovës, PalLekaj, Ismet Isufit, Gani Ramës, si dhe Veli Hajdarages.

Ish-kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, së bashku me Ismet Isufi dhe Gani Rama, po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga, po akuzohet për mashtrim me subvencione si dhe shmangie nga tatimi.

Aktgjykimi ndaj të njëjtëve pritet të shpallet pranë Gjykatës Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, nën udhëheqjen e trupit gjykues të kryesuar nga kryetari i trupit, gjyqtarit Shaqir Zika si dhe dy anëtarët tjerë gjyqtaritMentor Bajraktari  dhe gjyqtares Besarta Doli.

Për këtë rast, Prokuroria Speciale e Kosovës me 10 prill 2018,kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës Pal Lekajt dhe të tjerëve.

Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë kaluar edhe kompetencat ligjore, sepse përveç fondit për subvencione, ata për subvencione kanë përdorur edhe linjat tjera buxhetore të Komunës së Gjakovës, duke i shkaktuar asaj një dëm të mundshëm deri rreth 250 mijë euro.

Në këtë rast, akuzohet dhe Veli Hajdaraga, i cili, sipas organit të akuzës, gjatë periudhës 2008-2015, ka dhënë informacione të pasakta se kinse të gjithë aplikuesit për subvencione kanë pranuar subvencionet dhe se ka lejuar që në vend të fermerëve që kanë qenë në lista për të marrë subvencione, të marrin persona tjerë që nuk kanë pasur të drejtë.

I akuzuari Hajdaraga, përveç veprës penale të mashtrimit me subvencione, akuzohet edhe për shmangie të tatimit në shumë prej rreth 35 mijë eurosh, sepse sipas prokurorisë, ai me qëllim të shmangies së pagesave të tatimit, ka deklaruar të ardhura më të vogla se ato në realitet për kompaninë e tij, “UNION-VL”.

Prokuroria Speciale në aktakuzë ka treguar se numri i fermerëve që është dashur të intervistoheshin është mbi tre mijë, andaj me një numër të  intervistuarve është fituar trendi se 40% e përfituesve të subvencioneve nuk i kanë pranuar fare ato. Andaj, shuma e saktë e dëmit të shkaktuar që është mundur të vërtetohet nga fermerët e intervistuar, sipas aktakuzës, është rreth 70 mijë euro.

Ndërsa Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me 26 maj 2016, kishte ngritur aktakuzë edhe ndaj Gani Ramës,  për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës kohore 2008 – 2012, Gani Rama, në cilësinë e personit zyrtar, financiar në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëme personit tjetër, kishte lejuar alokimin dhe aprovimin e mjeteve monetare.

Aktakuza më tutje shpjegon se kjo kishte të bënte me pagesat që i janë bërë biznesit “DPT Union-VL”, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve pa asnjë procedurë, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta. Sipas prokurorisë shuma e keqpërdorur pretendohet të jetë 218.956.67 euro.

Ndër tjerash, vlen të theksohet se ky rast tanimë është i shenjëstruar për liberalizim te vizave.

Drejtësia Sot, ka raportuar edhe më parë në lidhje me këtë rast

MONITORUESE: QENDRESA BYTYQI