Nesër fillon Java Globale e Ndërmarrësisë

0
69

Java Globale e Ndërmarrësisë që këtë vit shënohet në 170 shtete të botës me mbi 35,000 aktivitete, në Kosovë ka bërë bashkë 46 partnerë, përfshirë organizata jo-qeveritare, donatorë, ministri, ambasada e kompani private.

Në qytete të ndryshme të Kosovës, prej 12-18 Nëntor do të organizohen afër 60 aktivitete.

E themeluar më 2007 nga Kauffman Foundation në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Java Globale e Ndërmarrësisë (Global Entrepreneurship Week – GEW) është shndërruar në festën më të madhe të ndërmarrësisë në botë, duke angazhuar miliona njerëz, liderë shtetesh e institucionesh, në promovimin e ndërmarrësisë, bizneseve startup dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekosistemeve.

Hapja zyrtare e GEW 2018 në Kosovë, bëhet të hënën, më 12 Nëntor, prej orës 10:00 në Parlamentin e Kosovës, nga Uranik Begu, drejtor ekzekutiv i Innovation Centre Kosovo (ICK) dhe nikoqir i GEW për Kosovë, Kryeparlamentari Kadri Veseli, Kryeministri Ramush Haradinaj, zv. Ambasadorja Amerikane Colleen Hyland dhe Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane.

Ceremonia hapëse pasohet nga paneli “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Ekosistemit të Ndërmarrësisë në Kosovë”, i cili zhvillohet po në ambientet e Kuvendit të Kosovës, në të cilin përveq organizatave e institucioneve partnere të GEW, marrin pjesë edhe Ministri për Inovacion & Ndërmarrësi Besim Beqaj, Ambasadorja e Suedisë Karin Hernmarck Ahliny, Ambasadori i Norvegjisë Per Strand Sjaastad dhe Ambasadori i Gjermanisë Christian Heldt.

“Viti i gjashtë i organizimit të GEW në Kosovë, shënon numër rekord partnerësh e aktivitetesh, dhe reflekton një mobilizim të institucioneve dhe organizatave për të fuqizuar ndëmarrësinë në vend. Synimi ynë është qe viti 2019 të shpallet “vit i ndërmarrësisë”, meqë rast institucionet relevante përkushtohen për aktivitet të shtuar në përkrahje të ndëmarrësisë dhe në veqanti bizneseve të reja, si mundësi e vetme për zhvillim ekonomik dhe hapjen e prespektivës në vend”, u shpreh Uranik Begu nga ICK & GEW Kosova.

Aktivitetet që e shënojnë Javën Globale të Ndërmarrësisë në Kosovë, përfshijnë: gara, vizita studimore, ligjerata, prezantime, trajnime, aktivitete rrjetëzuese dhe panaire, të cilat organizohen nga partnerë të ndryshëm, në qytete të ndryshme, prej datës 12-18 Nëntor.

Java Globale e Ndërmarrësisë në Kosovë organizohet nga Innovation Centre Kosovo (ICK). GEW 2018 përkrahet nga Ambasada e Suedisë, GIZ, Ministria e Inovacionit & Ndërmarrësisë, Ambasada e Norvegjisë, EFSE dhe Coca-Cola HBC Kosovo.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu