“Nëse nuk do ta fitoja meçin, karriera ime merrte fund”

0
75

Haxhi Krasniqi ka thënë se meçi për titull të botës kundër Dominic Boesel ishte përcaktues për karrierën e tij.

Ai ka thënë se në rast të disfatës, do t’i varte dorëzat në gozhdë, por që ka besuar më tepër në fitore – ajo që edhe ngjau.

“Nuk kam dyshuar në veten për këtë ndeshje. Kemi qenë shumë të përgatitur. Aty është edhe punë fati. Synimi ka qenë vetëm titulli i botës. Nëse nuk do të ndodhte do të ishte përfundimi i karrierës. Por kam qenë i bindur se do të ishte vetëm fillimi i karrierës”, ka thënë Krasniqi.

Ai është shprehur se nuk e ka në plane afatshkurta pensionimin, ndonëse ka potencuar se janë prindërit të tij që e duan këtë më shumë se gjithçka.

“Sikur ta dëgjoja babanë dhe nënën moti do t’i lija dorëzat. Dhimbjen më të madhe e kanë pasur prindërit dhe për zhgënjimet. Kanë vuajtur shumë. Gjithmonë jam munduar para tyre një buzëqesh. Ata e dinë rrugën time dhe ata i kanë dridhjet ekstreme dhe mezi e presin ditën kur do ta le boksin. Baba do të gëzohej që ta merrja atë vendim, por nuk është koha ende. Nuk jam i përmbushur ende”.

Bërtima që ka nxjerr nga kraharori pasi nokautoi gjermanin, Krasniqi ka thënë se është dëgjuar deri te Zoti.

“Mendimi i parë ka qenë zoti na i shpërbleu 15 vjet. S’mund ta shpreh në fjalë se sa e rrezikshme ka qenë. Është dashur të realizohet. Zoti më ka dëgjuar lart bërtimën dhe gëzimin që e kam pasur. Atë gëzim nuk mund ta përjetoj kurrë”.

Ndër të tjera, Krasniqi ka theksuar si në ring kishte hyrë për “jetë a vdekje”.

“Kam thënë se njëri do të përfundojë në spital, por çdo analizë i ka dalë mirë [Boesel]. Është sport i rrezikshëm dhe nënshkruajmë me dorën tonë që edhe të vdesim është pjesë e lojës”.