Nënshkruhet panoja e zotimit për gjithëpërfshirje

0
39

Për nder të Ditës Ndërkombëtarë për Personat me Nevoja të Veçanta, ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani bashkë me ambasadorin britanik Nicholas Abbott dhe Ministrin e Arsimit Ramë Likaj kanë nënshkruar panon e zotimit për gjithëpërfshirje.

Osmani ka thënë se qytetarët do të jetojnë më mirë vetëm kur në Kosovë të ketë hapësira, politika dhe qasje gjithëpërfshirëse për të gjithë personat me nevoja të veçanta.

“Ne sot në Kuvend, me iniciativë të deputetetit Fetah Rudi, kemi iniciuar një seancë të veçantë për të diskutuar për atë se çfarë kemi bërë si Kosovë dhe çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen në mënyrë që të gjithë, në veçanti fëmijët me nevoja të veçanta të kenë qasje në shkolla, të kenë shkolla gjithëpërfshirëse, të mund të ushtrojnë të gjithë detyrat e tyre dhe t’iu plotësohen të gjitha nevojat që kanë çdo ditë në jetën e tyre”.

Ushtruesja e detyrës së presidentes ka deklaruar se Kosova deri sot ka bërë shumë pak për të gjithë personat me aftësi të kufizuara, njofton Klan Kosova.

“Edhe sot kemi përqindje tepër të madhe të fëmijëve me nevoja të veçanta që nuk mund të shkojnë në shkollë për shkak të mungesës së qasjes, të cilët nuk mund të marrin shërbimet shëndetësore po prapë për shkak të qasjes. Nuk mjafton vetëm të miratojmë ligje, rezoluta, akte dhe vendime të tjera. Këto do të mjaftojnë vetëm në momentin kur për të gjitha ato që zotohemi, sikur sot që u zotuam bashkërisht për gjithëpërfshirje, të zbatohen në praktikë”.

“Ta luftojmë mentalitetin e izolimit të këtyre personave, sepse ata nuk duhet t’i shohim si kufizim dhe barrë, por si potencial të jashtëzakonshëm të shoqërisë tonë. Vetëm kur t’i përfshijmë të gjithë mund të flasim për një shoqëri të shëndoshë dhe të suksesshme dhe për një shtet që vë në përdorim në tregun e punës dhe institucione gjithë këtë potencial të jashtëzakonshëm që kanë personat me nevoja të veçanta”.
Ambasadori britanik, Nicholas Abbott, ka thënë se vendi i tij do të mbështesë fëmijët me aftësi të kufizuara me tabletë dhe angazhimin e mësuesve asistentë.

“Jam i lumtur që sot për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara jemi bashkë këtu për shkak të rëndësisë që ka kjo temë pavarësisht rrethanave që ndodhemi. Kam kënaqësinë që t’iu njoftoj që Mbretëria e Bashkuar, përmes UNICEF-it, do të mbështesë fëmijët me nevoja të veçanta. Ne do të përkrahim me tabletë, kompjuterë dhe me angazhimin e mësuesve asistentë. Kështu do të lehtësojmë procesin mësimor, sepse e dimë që ky grup mbetet ndër më të prekurit nga pandemia”.

“Kjo mbështetje vjen në kuadër të projektit ku Mbretëria e Bashkuar do të ndihmojë Kosovën në fushën e shëndetësisë dhe arsimit përmes ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Përmes këtij projekti, ne synojmë që askush të mos mbetet prapa dhe të gjitha komunitetet të kenë mundësi të barabartë dhe qasje në shërbimet shëndetësore dhe arsimore pavarësisht COVID-19”./ Klan Kosova