Nënshkruhet Marrëveshja për Bashkëpunim mes Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës

0
113

Sot gjatë një takimi të përbashkët mes Zëvendësues, Drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës Ekrem Hysenaj dhe Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës Avni Ahmeti është finalizuar Marrëveshja e Bashkëpunimit në mes të dy institucioneve.

Qëllimi i kësaj marrëveshje të nënshkruar mes z.Hysenaj dhe z.Ahmeti është që të mundësohet qasja në regjistrat pronësorë të cilat administrohen nga Agjencia Kadastrale e Kosovës për nevoja të Administratës Tatimore të Kosovës. Marrëveshja në fjalë është bërë si nevojë e avancimit të bashkëpunimit mes institucioneve respektive në fushën e shkëmbimit të informacioneve.

Ky avancim i mënyrës së bashkëpunimit, respektivisht formalizmi i bashkëpunimit me marrëveshje ku qartë specifikohen fushëveprimi i bashkëpunimit si dhe përgjegjësitë e palëve nënshkruese vjen si rezultat i disa avancimeve që kohëve të fundit ka zhvilluar Agjencia Kadastrale e Kosovës e që kanë rezultuar me kalimin prej mënyrës tradicionale të ofrimit të të dhënave (CD, e-mail, letër) në mënyrë të avancuar, përmes ofrimit të qasjes në të dhëna në kohë reale dhe përmes ueb shërbimeve.

Në këtë takim u vlerësua akti i marrëveshjes, duke potencuar se përfitues kryesorë nga një proces i tillë pos palëve nënshkruese, do të jenë vetë qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës.