Nëna që tragjedinë e ktheu në kauzë, po ndihmon të gjithë të droguarit dhe familjarët e tyre

0
2280

Ajo është infermiere dhe psikologe, por jo vetëm kaq. Humbi të birin nga konsumimi i substancave narkotike, e tragjedinë e saj e ka kthyer në kauzë.

Arjeta Musliu nga Ferizaj tashmë është bërë adresë e të gjithë konsumuesve të substancave narkotike dhe e familjarëve të tyre.

Duke filluar nga problemet që kishte, ajo po ofron diçka që asaj nuk i ishte ofruar kur kishte nevojë për të birin.

Musliu në emisionin Oxygen ka pohuar se ka shumë konsumues të substancave narkotike në Kosovë, e më e keqja është se janë shumë të rinj.

Duke përmendur zinxhirin e problemeve në vendin tonë, thotë se përveç tjerash në Kosovë ka substanca nga më të këqijat, që të rinjtë bien në kontakt shumë shpejt dhe lehtë me to dhe që po ua marrin jetën.

Me disa persona vullnetar ajo ka hapur Qendrën këshilluese “Këshillimi” ku fatkeqësisht aty tashmë trajtohen 170 raste.

U ofrohen psikoterapi edhe të droguarve por edhe familjarëve të tyre. Krejt shërbimet i ofrojnë pa pagesë.

E raste kanë nga e gjithë Kosova, madje edhe nga Shqipëria e Maqedonia.

“Llojet e drogave që po hyjnë në Kosovë po hyjnë shumë lehtë dhe po hyjnë shumë të këqija, krejt mbeturina. Preparate që po shtohen në marihuanë e që ndikojnë që me pas varësi më të madhe prej saj. Zbulimi i drogave ka ecur shumë, kanë arritur aty ku disa e shkëpusin njeriut krejt nga jeta reale, ata hyjnë në një gjendje skizofrenie.

Ajo ka shpjeguar çfarë ka ndodhur me të birin e saj, me sjelljet, me refuzimin për trajtim dhe shumë të tjera. Musliu beson se secili me një trajtim 6 deri 7 mujor, mund të kthehet në gjendje jetese normale.

“Erdha që gabimet e mia, mos informimin e duhur timin, dhimbjen që e kam përjetuar, që e përjeton një nanë kur e sheh fëmijën e saj, pra një Qendër , një mision që më ka munguar mua për periudhën 5 vjeçare, e kam marr një mision të tillë që me ju qëndruar afër familjarëve, individëve apo edhe përdoruesve të drogës, ku asnjë sekondë nuk mundem me paragjyku një përdorues që ai nuk ka vlerë apo e ka bërë me vetëdijen e vet, ai fillimisht është viktimë pastaj bëhet i varur”, thotë Arjeta Musliu, raporton oxygenpress.info  

Por, Musliu pavarësisht që nuk ka mbështetje financiare, thotë se nuk do të ndalet.

Ajo është e sigurt se do e realizon ëndrrën e saj, që të ndihmojë të tjerë, të mos ju ndodh çfarë i ndodhi djalit të saj.

“Unë jam e sigurt që kam me realizu një Qendër të rehabilitim, ka me funksioni si spital, që trajtimi ka me u ba në mënyrë natyrale. Projekti kushton rreth 500 mijë euro, bazuar në model evropian, që tregon rezultat, ku trajtimi i personit zgjat nga 6 deri në 7 muaj dhe tejkalohet gjendja, ku pastaj zhvillon një jetë normale. Thotë se do kenë aktivitete fizike aty, punë, e shumë të tjera që ata t’i kthehen jetës normale. Jam shumë e sigurt që do realizohet, duhet investim i madh, por kam shpresë që kemi njerëz vullnetmirë që do kontribuojnë për gjënë më të rëndësishme tonën, rininë, pra për vendin”, thotë ajo.

Arjeta Musliu po vazhdon me ligjërata nëpër shkollat e mesme fillimisht në Ferizaj, por ajo thotë se ka synim të jetë në secilin fshatë sepse atje është gjendje edhe me e rëndë.

Musliu thotë se në vendin tonë gjithandej ka shitës të substancave narkotike, pastaj thotë se ata hyjnë edhe nëpër shkolla, se policët ka që janë në dijeni dhe nuk veprojnë e nga krejt këto po humbin të rinj.

Në Kosovë llogaritet që janë rreth 35 mijë përdorues të substancave narkotike apo 2% e popullsisë, por që Musliu thotë se janë edhe më shumë, ngase nuk raportohen askund.

Ajo po punon për vetëdijesimin e të gjithëve për substancat narkotike, pasojat e tyre, ofrimin e shërbimeve për konsumuesit dhe ndihmë për familjarët e konsumuesve./oxygenpress.info