Në shenjë përkujtimi për tifozin tonë dardanë, Berat Rexha – Zëri i tij kumbues jehonte kudo në mbështetje të Kombëtares

0
187

Asnjëherë nuk është e lehtë të gjesh fjalë e të shkruash kur e humb një person me të cilin të lidhin kujtimet e bukura. Por, e ndjej obligim që sot nëpërmjet këtyre rreshtave t’ia jap lamtumirën e fundit njeriut që u bë miku im i ngushtë nëpërmjet futbollit – tifozit energjik të Kombëtares, Berat Rexha.

Beratin e njoha qysh kur ishte fëmijë, por rrethanat e kohës bën që i ai si shumë të rinj të tjerë ta marrë rrugën e mërgimit. Futbolli na ribashkoi pas shumë vitesh, kur ai dashurinë e tij për atdheun vendosi ta shfaqë duke u bërë pjesë e grupit të tifozëve “Dardanët”.

Ai dha kontribut të çmueshëm në organizimin e tifozerisë sonë në shtetet evropiane, e veçmas në Skoci, aty ku jetonte e vepronte tash e sa vjet.

Berati ishte kudo ku luante Kosova. Nuk kishte rëndësi koha, largësia apo çkado tjetër – ai patjetër ishte afër Kombëtares dhe kudo jehonte zëri i tij kumbues bashkë me shokët me këngën “Besa-Besë”.

Gjatë kohës së pandemisë shpesh me kontaktonte me shpresë se shumë shpejtë do të krijoheshin rrethanat që tifozët të ktheheshin në stadiume dhe ai së bashku me Dardanët e tjerë do ta mbështesnin sërish fuqishëm ekipin tonë Kombëtar.

E ndjente se mungesa e tyre në stadium ishte po thuajse e papërballueshme për lojtarët tanë, sepse ata ishin dhe mbetën frymëzimi i tyre kryesor.

Por, ja që jeta është e tillë dhe e mori atëherë kur më së shumti i duhej familjes por edhe Dardanëve.

Besnikëria, sinqeriteti, ndershmëria dhe guximi ishin virtytet e tij si personalitet dhe si të tillë do ta kujtoj përherë.

I përjetshëm kujtimi për Ty, dardani ynë!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së