Në Prizren konfiskohen rreth 800 kilogramë mish që nuk i përmbush kriteret

0
218

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndërmarrë një aksion në qytetin e Prizrenit për largimin nga tregu të mishit dhe produkteve të mishit pa kritere dhe dokumentacionin e duhur.

Lamir Thaçi, zëdhënësi i AUV-së, tha për KosovaPress se kjo agjenci sot ka konfiskuar rreth 800 kilogramë mish që nuk i ka plotësuar kushtet për tregtim.

Ai tha se asgjësimi i këtyre produkteve do të bëhet në ditët në vijim.

“Në një̈ koordinim të plotë të inspektorëve veterinarë të AUV-së dhe inspektorëve lokalë të Komunës së Prizrenit u inspektuan të gjitha mishtoret në këtë qytet. Në secilin rast ku inspektorët hasën në mish dhe produkte mishi pa dokumentacion i njëjti u ndalua për qarkullim (konfiskua) dhe do të asgjësohet në ditët në vazhdim. Nga ky aksion ka rezultuar me konfiskim të një sasie prej 765 kg mish dhe nënprodukte mishi (mish i freskët, mish i ndarë mekanikisht, mish në faza të përpunimit, mish i bluar, suxhuk, qofte, etj) të cilat nuk i plotësonin kushtet për tregtim”.

Ai po ashtu tha se te një mishtore është hasur mish pa origjinë dhe pa dokumentacion, dhe e gjithë sasia është ndaluar për qarkullim deri në asgjësim.

“Sasitë tjera të nënprodukteve të mishit të ndaluara në mishtore tjera, kryesisht ishin për mungesë të licencës për përpunim të produkteve të cilat trajtohen termikisht. AUV në ditët në vazhdim do të bëjë asgjësimin e gjithë sasisë së ndaluar”, tha ai.

Thaçi ka paralajmëruar se aksione të tilla, për largimin nga tregu të produkteve të cilat nuk i përmbushin kriteret, do të ketë në gjithë Kosovën.