Në Prishtinë u zbulua pllaka përkujtimore me rastin e 30 vjetorit të vizitës së delegacionit të parë të dërguar nga Senati i SHBA-së

0
96

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, të dielën, në qendër të Prishtinës, zbuloi pllakën përkujtimore me rastin e 30 vjetorit të vizitës në Kosovë të delegacionit të parë të dërguar nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministrja e Jashtme tha se kjo pllakë do të jetë kujtesa jonë kolektive e ditës kur bota nuk heshti më.

“Me 29 gusht 1990, delegacioni i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i udhëhequr nga senatori Bob Dole vizitoi Kosovën për herë të parë. Kjo vizitë u organizua në kohën e heqjes së njëanshme te statusit të njësisë federale të Kosovës brenda Jugosllavisë, dhe imponimit të politikave diskriminuese ndaj popullatës etnike shqiptare në Kosovë nga Serbia”, tha Ministrja Haradinaj Stublla.

Qëllimi i kësaj vizite, sipas kryediplomates së Kosovës, ishte mbledhja e informatave të drejtpërdrejta në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut që kryheshin në mënyrë sistematike kundër popullit shqiptar të Kosovës nga regjimi serb.

“Dhjetëra e mijëra qytetarë të Kosovës dolën në rrugë për të mirëpritur senatorët e ShBA-ve dhe u mblodhën rreth kësaj ndërtese, ku delegacioni zhvillonte takimet. Policia serbe përdori forcë brutale për të shpërndarë këtë tubim të qetë dhe kremtues të qytetarëve”.

“Pas përfundimit të vizitës, senatori Dole bëri deklaratën historike: Liria po vjen, demokracia po vjen! Dhe që nga ajo kohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qëndruar pranë popullit të Kosovës”, tha Ministrja Hardinaj Stublla, duke kujtuar se diaspora shqiptaro-amerikane, udhëhequr nga veprimtari Xhim Xhema, kishte rol vendimtar në realizimin e kësaj vizitë historike.

Vizita e senatorëve Bob Dole, John W. Warner, Jake Garn, Don Nickles, Alfonse M. D’Amato, Steve Symms dhe Connie Mack e vulosi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, deri te çlirimi, pavarësimi dhe shtetndërtimi i Kosovës.