Në Mynih hapet ekspozita e artistes Agata Çetta

0
47

Në ambinetin e konsullatës së përgjithshme të Kosovës në Mynih, është hapur ekspozita personale e artistes Agata Çetta “Rijetësimi Ilir” me rastin e kremtimit të 11 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Artistja u paraqit me 13 grafika të teknikës akuatintë dhe 11 pjatave nga argjila në kombinim me filigran, që është një ndër artizanatet më të dalluara shqiptare.

“Agata Çetta, sot në ekspozitën e saj “Rijetësimi Ilir” na vjen me një opus të begatshëm ku zgjon interesimin e secilit artdashës”, tha konsulli Afrim Nura, gjatë mbajtjes së fjalimit të tij.

Ai përmendi edhe rëndësinë e trashigimisë tonë shumë të pasur kulturore, si një ndër elementet thelbësore për dëshmimin e rrënjëve tona.

Sipas kuratorit të kësaj ekspozite, Adem Dermaku- artist, këto dy teknika të ndryshme, këtu kanë të përbashkët temën dhe tonalitetin e ngjyrave, e cila është urë lidhëse në mes të kaluarës dhe të sotmes si një dëshmi për identitetin e një populli.

“Në pjatat e argjilës, Agata tregon një pedantizëm të sofistikuar për të paraqitur bukurinë e lashtë ilire qysh prej periudhës parahistorike, të inspiruar nga disa artefakte më unike në territorin e Kosovës. Ndërsa në grafika paraqet një shprehje ekspresive të natyrës, ku ka një liri të vijës dhe formës abstrakte, si reflektim i harmonisë në univers dhe mesazh për prezervimin e saj nga elementet dëmtuese” vazhdon kuratori/Kult/OxygenPress.info