Në Kosovë po mbyllen kazinot, edhe ashtu nuk kishin licencë

Menjëherë pas miratimit në kuvendin e Kosovës të rezolutës së propozuar nga LDK për pezullimin e aktivitetit të kazinove dhe lojërave të fatit, në të gjithë Kosovën është ndezur edhe aksioni në terren, kundër tyre.

Administrata Tatimore e Kosovës, vendosi menjëherë mbylljen e të gjitha pikave që ushtrojnë këto veprimtari, deri në një vendim të dytë. Policia e Kosovës, ka dhënë detajet e operacionit në të cilin janë angazhuar 1 mijë zyrtarë policorë, të doganës dhe ATK-së.

Sipas të dhënave zyrtare, janë kontrolluar gjithsej 235 pika. Deri më tani janë mbyllur 35 lokale me lojëra fati ndërsa janë konfiskuar nga dogana 118 makina të lojërave të fatit.

Mediat kosovare shkruajnë se nga vrojtimi në terren, pjesa më e madhe e pikave të bastit dhe kazinove janë mbyllur ose janë në proces mbylljeje, ndërkohë që duhet përmendur këtu që një pjesë e mirë e tyre ishin zhvendosur në Kosovë këto muajt e fundit, pas ndalimit të aktivitetit në Shqipëri.

Nisma për mbylljen e lojërave të fatit dhe kazinove në Kosovë, erdhi pas vrasjeve që janë regjistruar në javën e fundit, në një kazino në Suharekë dhe në Lipjan.

Rezoluta që u miratua më herët në parlament, mori votat e 74 deputetëve dhe tani, brenda 30 ditësh, qeveria duhet të dërgojë në kuvend ligjin që i ndalon të gjitha llojet e lojërave të fatit për një periudhë 10-vjeçare./alsat