Në Janinë, një nga qytetet më të bukura të Shqipërisë

0
212

Nga Mid’hat Frashëri

Në kuadër të 70-vjetorit të ndarjes nga jeta të Mid’hat Frashërit, Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo” promovoi të enjten vëllimin e katërt të veprës së tij. Këto pjesë janë marrë nga libri i autorit të shquar shqiptar

NE JANINE

Kur hyjmë në Janinë, ora kish vajtur një e natës dhe mezi shohim udhën, që shkojmë dhe miqtë që na kanë dalë përpara. 15 vjesht’e parë 1909. Kur ngrihem, më e para e punëve është të nxitoj në dritare dhe të hedh një vështrim jashtë, të shoh këtë qytet, këtë Janinë kaq të dëgjuar. Nga shtëpia, ku jam, shoh një pjesë të madhe të qytetit, kënetën atje poshtë dhe malin Miçqel të zhveshur e të kuqreshëm m’anë tjetër. Por kam nxit, që të dal dhe ta shoh më mirë këtë qytet; dua të kuptoj a më ka mbetur ndonjë kujtim i vogël nga kohët e foshnjërisë, që kam shkuar atje. Me afër 30 mijë njerëz, Janina është një nga më të bukurit qytet të Shqipërisë, nga më të pastërtit dhe më të qytetëruarit. Rrugët, tek ecën, i gjen të ndrequra dhe të rregullta, sado që të shtruara me gurë të fortë; nuk janë rrugë qerreje, po edhe këto qerre nuk janë në Janinë. Vizita e parë është për në klub, pastaj për në shtypshkronjën shqipe të gazetës “Zgjimi i Shqipërisë”, çelur nja dy muaj pas konstitucionit; klubi ka hedhur një dritë të madhe shqiptarizmi në këtë qytet dhe ka zgjuar shumë ndjenja kombiare, që flinin në dremitje. Por dhe akoma sa punë e madhe, sa mundim të palodhur duhet që të dalin në dritë gjithë ndjenjat e fshehura dhe të panjohura të mëmëdhetarëve tanë të Janinës. Kur dëgjon njeriu kuvendimin e janotëve pandeh se gjuha e tyre është greqishtja. Po me sa çudi t’ëmbël kemi vrejtur se, në mos të gjithë, po të paktën gjysma e njerëzisë në Janinë e kupton dhe e flet shqipen. Pastaj pyetni një herë më ç’anë janë, nga vijnë Janinotët dhe do të kuptoni se kush është nga Çamëria, kush nga Labëria, tjetri nga na hidhëron zemrën! Se është faji ynë dhe vetëm yni: nuk kemi dashur që të qëndrojmë në këmbë, po jemi unjur pak. Tregu ka dyqane të mirë dhe lëvizje të mjaftueshme: duket se do të ketë shumë marrëdhënie. Po si më thonë: ku është tregtia që bëhej tridhet a dyzet vjet më parë, ahere që Thesalia akoma s’ish dhënë te Greqia! Qytet i moçëm, mbase dhe në shekuj të parë, emëruar Dodonë, ashtu si kuptohet nga zënit ngoje te “Episkopia e Dodonës”. Janina merr emrin, që ka sot dhe zihet në gojë për të parën herë më 1807 prej historishkronjëses Ana Komneni: n’atë kohë shohim se princi norman, Boemondi, e mori nën urdhër të tij Janinën për pak kohë, mbretëri e këtyre princërve katolikë qe fort e shkurtër n’Epir. Por pa shkuar shumë, Janina bie në short të despotit t’ Epirit, një principat’ e themeluar më 1206 prej Mihal Dukas, me kryeqytet Nartën. Si u ndodh dhe pak kohë nën sundim të serbëve, që erdhën dhe ranë si një breshër me mbretin Stefan Dushan, në Janinë gjejmë një familje princash shqiptarë, familjen e Topiasve, të cilët pastaj e lanë vendin me ca familje princash të vegjël gjer më 1396. Janina jepet vetvetiu te Sulltan Bajaziti i parë, një denie në paqë, që më pastaj u forcua edhe me luftë në kohë të Sulltan Muradit të dytë më 1431. Që ahere, pa histori dhe pothuaj e shuar dhe e harruar, Janina merr një shkëlqim dhe emër të fortë me Ali Pashën, në kohë të cilit thonë se kish gjer më 40-50 mijë njerëz. Edhe tek shëtit në këto rrugë, po mejtohem se tridhjetë vjet më parë, ky qytet kaq i vlefshëm dhe i dashur për të tërë shqiptarët, mënd na dolli nga dora, se diplomatët e Evropës në kongres të Berlinit e kishin parë t’udhës që t’i jepesh si dhuratë a si lëmoshë (sadaka) Greqisë! Edhe le të flasë pastaj njeriu për shpirtmadhësi dhe drejtësi t’Evropës, të kësaj shoqërie të madhe, për të cilën vetëm një fjalë ka dëftesë dhe shpirt: interesi! Këta kujtime të hidhura bëjnë dhe subjektin e fjalës sonë në vizitat që bëjmë te miqtë, subjekte të hidhura vërtet, po prej të cilave dilte dhe kuptohej nevoja e madhe që kemi, për të punuar dhe për të mos fjetur. Të punuar, të punuar pa dëshpërim dhe pa lodhje! Ky është edhe kuvendi, që rrjedh në klub, ku pas darke, përpara më tepër se njëqind e pesëdhjetë shpirt kam nderin, që të jap shpjegim nga kongresi i Elbasanit, si mëkëmbës që më kish dërguar klubi.

 

SHKRONJAT SHQIP

Thamë në numrin që shkoi, se çështjen e shkronjave më s’kemi për ta trazuar, se na duket m’e udhës të përgjigjemi me punë sesa me fjalë. Vërtet, për ne përgjigja me të heshtur se me të punuar, na ngjan fort m’e dobishme dhe m’e fortë sesa polemika me fjalë të kota. Por ja se ku ngjarjet s’na lënë që të pushojmë: si e shkruam at’artikull, pamë se ca deputetë nga të Kosovës, Manastirit dhe Shkodrës bënë një shkresë dhe e dhanë të sadrazemi, duke kërkuar që shkronjat shqip të ndalohen si të dëmshme për politikën e Shqipërisë dhe si vegla të intrigave. Në numrin e gazetës së javës që shkoi, duke dhënë këtë lajm të çuditshëm, thoshin se asnjë nga këta të katërmbëdhjetë zotërinj, që kanë nënshkruar atë shkresë, nuk dinë as të këndojnë as të shkruajnë shqip. Pa dyshim, këta zotërinj s’e kanë lodhur kurrë ndonjëherë mendjen, që të mejtohen mbi nevojat e diturisë dhe mbi mirësit’ e qytetërimit. Kur kënduam shkresën e tyre, na u duk se kemi përpara syve ndonjë gjyq të inkuizicionit të kohës së Mesme. N’ato kohëra priftëria kallëzonte dhe gjykonte si gjë kundër fesë çdo send që s’i pëlqente, çdo shpikje të diturisë dhe çdo pemë të mendimit dhe të gjykimit: librat e të diturve, shkrimet e filozofëve, ahere hidheshin në zjarr dhe zotërit e tyre gjykoheshin si magjistarë dhe si të pafe. Sa vepër të vlefshme dhe sa njerëz të pafajshëm e të vyer janë burgosur dhe hedhur në zjarr të gjallë prej atyre priftërinjve, që bënin të shenjtëruarën shoqëri t’inkuizicionit. Kur këndova shkrimin e atyre deputetëve, m’erdhi turp nga vetja ime se m’u kujtua gjyqi i inkuizicionit dhe verbëria fanatike e tij. Edhe themi se rrojmë në këtë kohë që bota gjetkë rreh të shpikë vegla qysh të fluturojë, të ndritohet dhe të lumturohet njeriu! Po ky shkrim më kujtoi dhe gjëra të zeza të tjera të vendit. Më kujtoi që në malet tanë njerëz kanë derdhur gjak se s’duan atdheun, të tjerë janë vrarë se s’duan rrugë qerreje dhe udhë të hekurta, të tjerë janë therur te millet bahçe te xhamia … dhe të tjerë kanë luftuar se s’duan as të paguajnë te qeveria, as ushtarë të venë. Po ja se ku deputetët tanë sot na thonë se s’e duan gjuhën shqipe! Mos pandehet se të ndershmit katërmbëdhjetë deputetë t’asaj shkrese s’i duan shkronjat shqip, ata s’duan as gjuhën, ata thonë që gjuhën shqipe ta lëmë fare. Këndoni shkresën, këndoni dhe dy artikuj të deputetit të Pejës dhe do të kuptoni se këta të ndershëm zotërinj e mohojnë fare gjuhën tonë: sikur të kishin fuqi, do të kërkonin të na prisnin me gërshërë që nga rrënja. Pse? Këndoni historinë e inkuizicionit dhe do ta kuptoni! Shkrimet e këtyre të ndershmëve deputetë, për atë që di të këndojë, thonë: ne s’duam të jemi shqiptarë, ne duam që shqiptarët, –ata të mjerë shqiptarë që i kanë zgjedhur, duke pandehur se do të punojmë për të mirën e tyre, – të rrinë n’errësirë dhe në padie, të mos çelin sytë, të mos gëzojnë jetën, të mos qytetërohen, të mos bëhen njerëz! Me një fjalë, kjo dëshirë e atyre të katërmbëdhjetë të ndershmve, është një këlthitje nga ana e padijes kundër qytetërimit, është një zihje e errësirës kundër diturisë, një luftë si e Hyrmyzit dhe e Ehrimanit të Persëve të moçmë, një luftë si e priftërisë në kohë të Mesme! Po çudia është se këta të ndershëm të punëve të tyre duan t’u japin një ngjyrë hipokrizie dhe lajke, duan të rrëfehem si miq te qeveria, si miq të turqve. Po nuk e di ç’do të thonë tani që edhe turqit (Hysen e Xhahidi në Tanin) qeshin e tallen me ta? Se, padyshim, turqit e dinë fort mirë: ai që nuk do dhe veten dhe kombin e tij, s’mund kurrë ndonjëherë të dojë të tjerët. Të katërmbëdhjetë të ndershmit harruan që çështja e shkronjave është një çështje thjeshtë filologjike, edhe një çështje e mbyllur, se kongreset e Manastirit, Dibrës e të Elbasanit e kyçën dhe e mbaruan. Të katërmbëdhjetë deputetët pandehën se në këtë çështje mund të përzihen edhe ata, me qenë se janë deputetë! E dinin fort mirë, që Shqipëria e Sipërme kish deputetë, se shumë herë shpresuam t’ua dëgjonim zërin dhe emrin e tyre në një punë që deshën mbrojtur të drejtat e vendit tonë. Atëherë këta të ndershëm s’dëgjoheshin fare, po kur u çel çështja e shkronjave dhe e gjuhës, u bënë si bilbila. Por shkresa nuk mjaftonte! Të katërmbëdhjetë zotërinjtë van’e panë edhe sadrazemin dhe i dhanë shkresën me emra. Nuk e dimë ç’bëri sadrazemi, në ka qeshur nën mjekër apo jo? Po duam të dimë pse vanë te sadrazemi dhe me ç’mendje e dhanë shkresën? Qëmoti bota jepte lajme te Hamidi, jepte dëshira te valiu, edhe ylepet jepnin shpjegime te shehri Emin. Po deputetët tanë pse vanë te sadrazemi? Po t’i lëmë këto “pse”, se e dimë që nuk kanë përgjigje, a më mirë përgjigjen e merr vesh çdo njeri. Vetëm këndonjësve u këshillojmë të bëhen të rëndë. Një fjalë perse thotë: nuk turbullohet ujët e thellë me një gur. Edhe ne nga të tillë gurë nuk turbullohemi. Ata që s’dinë, të thonë ç’të duan. Ne të shikojmë punët tonë, të përpiqemi për gjuhë, për mësim, për dituri. Mos ndahemi nga kjo udhë, se qëllimet tanë janë të mirë për kombin tonë. Ne duam dritë, atyre q’u dhembin sytë, le t’i mbyllin.

 

TË PUNOJMË!

Nja tre muaj më parë, tek kthehesha nga Manastiri, udhëtova n’udhë të hekurt me një deputet francez. Ky ish një zot nja gjashtëdhjetë vjeç, me mjekër të bardhë e të shkurtër dhe një bark të madh. Kishte qenë dhe shumë fjet më parë në Turqi dhe tani po vinte të shihte pas konstitucionit këtë vend, për të cilin ndjente një dashuri. Pa vonuar shumë u bëmë miq dhe shokë. Më rrëfeu qysh kish udhëtuar në Manastir, Resnjë, Ohër. Kish parë se vendi me njëzet vjet e tëhu kish mbrothësuar mjaft. Kish parë një mirësim të mjaftë, që nga udhëtimi i parë. Shoku im kish shpresë të madhe për pritmin e Turqisë dhe thosh se në pak kohë mund të bëhej një vend i lulëzuar. Fjala vetiu vajti te Shqiptarët. Deputeti bëri fjalë më shumë lëvdata për kombin tonë dhe më tha se n’udhëtimin e tij të vogël ish pritur shumë bukur prej disa bej shqiptarë. Mbi këtë pikë të fundit, e zgjatëm fjalën; thamë sesi e kanë shtëpinë të hapur këta zotërinj, se kushdo mund të vijë pa u trembur se mos gjejë derën të mbyllur. Shoku im përnjëherë më tha: Kjo a do të mbajë shumë kohë akoma? Kjo pyetje na bëri që të mejtohemi. Shqiptarët tani po prishin atë q’u la i ati, po vetë a fitojnë, këtë gjë q’e kanë sot a do ta mbajnë? Prindërit tanë kanë fituar në kohët e para dhe sot nipërit e stërnipit e tyre po prishin me të dy duart, po prishin pa vënë asnjë para më nj’anë dhe pa fituar asnjë para të re. Në Shqipëri nuk gjen dy njerëz që të kenë vënë pesë para më nj’anë: ata që fitojmë sot, e prishin të tërë, pa për nesër ka perëndia. Të kursyerit, të vënë më nj’anë dy të holla këtë gjë se dinë fare. Franca sot, n’është një vend, që ka më tepër begati dhe gjëllim se nga gjithë shtet e tjerë, kjo i vjen ngase njerëzia në Francë është më ekonomike se tekdo gjetkë, se njerëzia na atë vend është mësuar që të vërë gjithnjë ca të holla më nj’anë. Tridhjetë e tetë vjet më parë, si u mund në luftë Franca i pagoi Gjermanisë dyqind e pesëdhjetë miliona lira frëngu: Kjo është një shumë e madhe, po Franca në shumë pak koh’ e mblodhi veten prapë. Të hollat që vihen më nj’anë s’rrinë të ndryshken po gjithnjë pjellin të holla të tjera, gjithnjë prodhojnë. Ata shoqëri të mëdha, fabrikat dhe gjithë ato punë të mjeshtërisë janë bërë më të holla, jo me të holla të një njeriu a disa njerëzve, po me të hollat e botës, me kapitale të mbledhura çika çika nga njëri te tjetri. Gjer më sot mesa shqiptarë kemi kuvenduar për këtë punë, na thonë se gjithë shkaku dhe gjithë faji ishte qeveria e ligë, se njeriu s’ishte i lirë që të punonte, t’udhëtonte për tregti a të shikonte çifligun; Hajdutët, xhandarët dhe mehmurët që kishin tmerruar vendin dhe s’i linin të punonin si duhej. Edhe kështu dheu ka mbetur i shkretë, çifligjet kanë mbetur vetëm sa për emër dhe gjindja e tërë ka mbetur në varfëri. Kur themi gjindja kuptojmë tërë shqiptarët dhe ata që na duken pak si të pasur, edhe ata vetë e dinë sesi kthehen. Është një gjë e ditur që nga koha e Adamit, se puna sjell bagëti; për të qenë i pasur, njeriu duhet që të punojë, pra s’duhet gjë tjetër; le të themi që kam nj’arë të shkretë që sot bën dhjetë lira, nesër në e punofsha, në mbjellsha ca pemë, n’e thursha me një gardh, në hapsha ca hendeqe, ajo arë do të më bëjë njëzet e pesë lira! Gjer më sot të zotërit e çifligjeve shkonin një herë në mot në çiflig, jo për të shikuar punën por për të marrë haselatin dhe për të ngrënë pula e pata. Nga ky shkak një çiflig që mund të jepte një mijë lira, tani jep vetëm dyqind lira, edhe ato me një njëmijë mundime. Fjala thotë: sa të kesh jorganin aq zgjat këmbët, por ata që kanë çiflig ndër ne, këmbët i nxjerrin dhe një pëllëmbë jashtë shtresës. Në vend që të punojmë e të përpiqen për të shtuar fitimin e tyre, ata prishin me të dy duart, prishin për qejf dhe për marrëzi; edhe çifligu pas dy vjetësh vete rehen dhe djali s’gjen as pesë para kur vdes i ati. Një gjë që në Shqipëri s’e kemi kuptuar fare, është se çifligu është si një dyqan, duhet që ta shikojë i zoti vetë dhe jo ta lerë në duart e subashëve. Këto dhe shumë të tjera thamë me shokun udhës, dhe që të dyve na erdhi pyetja: Pse njerëzit e vendit tonë janë kaq armiq të gjësë së tyre? – Shkaku i kësaj pune është që në Shqipëri këta çifligje që pe si kanë fituar vetë që t’ua dinë vleftën. Këto i kanë fituar prindërit dhe bejlerët sot prishin sikur është gjë e armikut.