Në Gjykatën e Pejës ndërprehet seanca ndaj të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës, pranimi i fajësisë nga ai nuk e bindi gjykatën

0
56

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore të Pejës, këtë të premte është ndërprerë seanca fillestare ndaj të akuzuarit Himë Krasniqi, raporton Drejtësia Sot.

Prokuroria Themelore e Pejës, në aktakuzën e ngritur me datën 26.06.2020, e ngarkon Krasniqin me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, për shkak të mos përmbushjes së detyrave të tij si roje e pyllit.

Në seancën e sotme, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ardian Hajdaraj, i akuzuari Krasniqi, u deklarua fajtor për veprën penale me të cilën ngarkohet me akuzë.

Mirëpo, gjyqtarja Violeta Husaj-Rugova, pas konsultimit me prokurorin dhe me shkresat e lëndës mori aktvendim që të akuzuarit Himë Krasniqi, t’i caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare, meqenëse i njëjti nuk është në gjendje t’i kuptoj elementet e veprës penale si dhe pasojat dhe përparësitë e pranimit të kësaj vepre.

Drejtësia Sot, njofton se seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar me datë 03.08.2020.

Sipas aktakuzës së siguruar nga Drejtësia Sot, i pandehuri Himë (Zenel) Krasniqi, i lindur në vitin 1978, duke shfrytëzuar pozitën e tij nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dëshmitarin F.R.

Gjithnjë sipas aktakuzës i pandehuri duke qenë në pozitën zyrtare të pylltarit, ditën kritike i caktuar si roje pylli te Laura e Pylltarisë, në hyrje të Pejës nga Rugova, i njëjti edhe pse e kishte për detyrë megjithatë nuk e kishte ndaluar për kontroll kamionin që ishte i ngarkuar me dru teknik të llojit “Breu” në sasi prej 4.07 m3 dhe në vlerë prej 1424.50 euro, të cilin e drejtonte dëshmitari F.R../ DrejtesiaSot