Në fundjavë priten reshje shiu dhe erë, mbetet mot i butë

0
58

Fushat e presionit më të lartë që ndodhen mbi rajonin tonë, gradualisht do të fillojnë të dobësohen, nga që fusha të presionit të ulët nga Atlantiku po fillojnë të shtrihen mbi Europën perëndimore, e nga fundjava një ciklon më i thellë pritet të depërtojë mbi rajon që do të sjellë vransira, erë dhe të reshura shiu, e në vise malore borë.
Deri në fundjavë do të mbajë mot kryesisht me vransira dhe intervale me diell. Në vise të ulëta mjegull, që mund të mbetet edhe përgjatë ditës. Në aspektin termik, do të mbretërojë mot i butë, me temperatura që mbeten mbi vlera mesatare, e në fundjavë temperaturat do të vazhdojnë të rriten më tutje.

Deri në fundjavë cilësia e ajrit do të mbetet në vlera të pashëndetshme, e me ardhjen e ciklonit në rajon, erërat që parashihen do të shpërndajnë ndotësit e grumbulluar këto ditë, derisa vlerat e cilësisë së ajrit do të zbresin në mesatare dhe të mira.

19.12 – Butë, kryesisht me vransira. Në vise të ulëta mjegull, që mund të mbetet edhe gjatë ditës.
20.12 – Vransira dhe intervale me diell. Në vise të ulëta, në mëngjes mjegull, që ditën pritet të shpërndahet. Paradite mundësi për riga lokale shiu.
21.12-22.12 – Në fundjavë mbetet mot i butë. Ditën e shtunë kryesisht me vransira. Pasdite dhe në mbrëmje kohëpaskohe me shi. Të dielen, kryesisht vranët dhe me erë. Gjatë ditës dhe në mbrëmje shi. Vende-vende reshjet mund të jenë më intenzive. Në vise malore borë.
23.12 – Kryesisht vranët, me erë, kohëpaskohe me reshje të dobëta shiu. Në vise malore mbi 1500m borë.

Temperaturat minimale do të luhaten nga 0C deri në 6C, e maksimalet nga 10C deri në 12C. Në zonat ku mjegulla mbetet edhe gjatë ditës, temperaturat maksimale do të jenë më të ulëta.
Do të fryejë erë e lehtë jugore 1-5m/s, e ditën e diel erë mesatare dhe e fuqishme nga jugperëndimi 7-14m/s.
Shtypja atmosferike do të fillojë të zbres, e në fundjavë do të pësojë rënie të thellë nën vlera normale.