Në fillim të javës sërish borë dhe acar

Në ditët e fundjavës fusha të presionit të lartë nga Europa perëndimore po shtrihen mbi rajon, që do të kushtëzojnë mot më stabil dhe pa të reshura, me mjegull dhe acar në orët e mëngjesit.

Mirëpo, në fillim të javës sërish një vorbull ciklonike nga Atlantiku me masa të ftohta ajrore arktike, përgjatë Italisë do të depërtojë në rajon, që do të sjellë sërish reshje bore.

Në fundjavë nuk parashihet të ketë qarkullim të mjaftueshëm ajror, e me formimin edhe të mjegullave, cilësia e ajrit do të rritet në vlera të pashëndetshme.

Sot do të jetë shumë ftohtë. Kryesisht me vransira. Në mëngjes në vise të ulëta mjegull, që vende-vende mund të mbete edhe gjatë ditës. Në mbrëmje vonë vende-vende mundësi për borë të dobët.

Të hënën ftohtë, kryesisht vranët dhe kohëpaskohe me reshje bore, ku në orët e paradites mund të jenë më intenzive. Ditën e martë, shumë ftohtë dhe me erë. Pjesërisht vranët, kohëpaskohe me reshje lokale bore, sipas Prishtina Weather.

Edhe të mërkurën shumë ftohtë. Në mëngjes vransira, e gjatë ditës kryesisht me diell.

Temperaturat e ajrit do të mbesin nën vlera mesatare. Minimalet do të luhaten nga -12C deri në -6C, e maksimalet nga -3C deri në 0C. Në viset ku do të ketë mjegull, temperaturat mund të jenë më të ulëta.

Era do të fryejë lehtë nga verilindja dhe jugperëndimi 1-2m/s.

Shtypja atmosferike, do të shënojë rritje, por të hënën sërish do të zbres thellë nën vlera normale./OxygenPress.info