Në Dashtë Zoti- poezi nga Naim Frashëri

0
573

Nastradini ish qetuar

Dhe po rrij duke mejtuar;

Po përnjëherë u xgjua,

Së shoqes i tha: “O grua,

Nesërë jam për në veshtë,

Se s’kam vatur këtë vjeshtë,

Sindëkur vinja qëmoti.”

Plaka tha : “Në dashtë zoti.”

Nastradini i tha : “Unë

S’e këllas zotnë në punë, { s’e këllas — s’e fus }

E shoh vetë punën time,

E nuk e vë nër mundime,

Që të doj’ a të mos dojë,

Se nukë më flet me gojë.”

Kështu the, o jetëgjatë!

Papo u ngrite me natë,

More shportat e gomarë,

Po s’të vate udha mbarë!

Për rrush del njeriu i mjerë

E sjell shkarpa shumë herë.

Gjithë bota po punonin

E udhëtë po ndrejtonin.

Nastradinë kur e panë,

E zun’ e më nuk e lanë:

Gjithë ditën gur’ i gjori

Mbajti edhe pagë s’mori.

I këputur, i drobitur,

I lodhur, i kahënitur,

Natën në t’errët u kthye,

Me pluhurë mbi qyrdye!

Erth më der’ e trokëlliti,

E shoqja nga shkalla xbriti,

Tha : “Kush ësht’ aty më derë?”

Pa tha Nastradin’ i mjerë:

“Në dashtë zoti, jam unë,

Që vajç’ e s’bëra dot punë!”

Pa më nesëret një fqinjë,

Q’ish i varfër e pa linjë,

Erth e i kërkoi gomarrë,

Duke thënë ca më parë:

“Jemi pa buk’ e pa ngrënë,

Në mulli drithë kam shpënë,

Gjer më tani është bluar,

Po s’kam kafsh’, o i uruar.”

Nastradini, pa mejtuar,

Tha : “Për dru e kam dërguar,

Ka vaturë që me natë,

I varfëri veshgjatë.”

Ajy tha “e kam dërguar”,

Gomari palli në quar!

Fqinja tha : “Pse më gënjeni,

Të drejtënë s’ma rrëfeni?

Ja se ku pëllet gomari,

Qysh e ka marë druvari!”

Nastradini tha : “S’kam parë

Kshu, të besojnë gomarë!

Me fjalën time s’je nginjur,

Që jam sot plak e i thinjur,

Po dëgjon gomarrë ç’thotë,

Q’është pa mënt e flet kotë.

Njeriu që dëgjon gomarrë,

S’e ka punën mbroth e mbarë.”

Kështu tha, po të vërtetën

E thosh gomari, të shkretën.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu