Në Beirut shpërthyen protestat anti-qeveritare

0
60

Ditën e enjte (6 gusht 2020) protestat antiqeveritare shpërthyen pranë parlamentit të Bejrutit, gjatë mbrëmjes. Me dhjetëra njerëz ndezën zjarre dhe hodhën gurë pas shpërthimeve shkatërruese të portit, ditën e martë, që rrafshuan një pjesë të madhe të qytetit. Policia hodhi gaz lotsjellës ndaj demonstruesve, të cilët bënin thirrje për dorëheqjen e elitës politike të Libanit.
Teksa hetuesit po përqendrohen në zyrtarët e portit, shumë libanezë fajësojnë qeverinë për shpërthimet që vranë të paktën 150 njerëz dhe plagosën mijëra të tjerë. Ata fajësojnë korrupsionin dhe keqmenaxhimin që, edhe para katastrofës, e kishin çuar Libanin në prag të kolapsit ekonomik.

Më herët, të enjten, presidenti francez, Emmanuel Macron vizitoi qytetin, duke premtuar ndihmë, por duke paralajmëruar se ai nuk do t’i jepte para, “një sistemi që nuk ka më besimin e njerëzve të tij”. Në një skenë befasuese, Macron, vendi i të cilit dikur ishte sundimtar kolonial i Libanit, u bëri thirrje qytetarëve të krijojnë një “rend të ri politik”.

Ndërsa Macron përshkonte një prej lagjeve më të goditura, Gemmayzeh, një turmë u mblodh rreth tij, duke bërtitur me zemërim: “Revolucion!” dhe “Popullli dëshiron ta rrëzojë regjimin!”, të cilat janë përdorur si parulla edhe në protestat masive të vitit të kaluar.

Udhëheqësi francez u tha atyre se do të propozonte “një pakt të ri politik”, kur ai të takohej me qeverinë libaneze dhe më pas shtoi:

“Unë do të kthehem në fillim të shtatorit dhe nëse ata nuk mund ta bëjnë këtë, do të mbaj përgjegjësinë time ndaj jush.”

Ai gjithashtu premtoi se ndihma franceze do të jepet me transparencë dhe “nuk do të shkojë në duart e korrupsionit”.

Asnjë prej politikanëve kryesorë të Libanit, nuk ka vizituar zonat e banuara, të dëmtuara nga shpërthimi, ndërsa presidenti Michel Aoun dhe të tjerë nuk vizituan as portin. Disa orë pas vizitës së Macron, Ministrja e Drejtësisë, Marie-Claude Najm u përpoq të vizitojë zonën, por u dëbua nga protestuesit.

“Jep dorëheqjen, kriminele! Çfarë do bëje nëse motra jote do të ishte në mesin e të vrarëve?”, dëgjohej teksta bërtiste një protestues.

Dikush tjetër e spërkati me ujë dhe ajo u largua, ndërkohë që protestuesit bërtisnin “Revolucion!” dhe “Dorëheqje!”.

Në shumicën e rasteve të njëjtat figura kanë qeverisur Libanin që nga lufta civile 1975-1990. Pothuajse të gjitha institucionet publike janë të ndara mes politikanësh dhe përdoren si gjeneratorë të patronazhit për veten dhe mbështetësit e tyre. Kjo do të thotë se ata kanë tendencën të bëjnë një sy të verbër ndaj korrupsionit, të vogël ose të madh. Edhe shërbimet themelore si energjia elektrike dhe mbledhja e plehrave janë të përmendura jo pak herë si pjesë e korrupsionit.

Për më shumë se një dekadë, zyrtarë, grupe roje dhe media të Libanit kanë raportuar korrupsionin e përhapur në Portin e Bejrutit, përfshirë ryshfetin dhe fshehjen e mallrave nga detyrimet doganore ose taksat.

Burimi: CBS News